Michael Hernandez
19 Korrik 2019•Përditësim: 19 Korrik 2019
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë disa komente kontradiktore nëse SHBA do të imponojë sanksione ndaj Turqisë për blerjen e sistemit të mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia, raporton Anadolu Agency (AA).
Trump fillimisht tha se sanksonet nuk janë në konsideratë “tani për tani”, para se më vonë t’u thotë gazetarëve “po e mendojmë atë”.
Ai tha se situata është “shumë e vështirë”, duke vazhduar të fajësojë për këtë rast ish-presidentin e SHBA-ve, Barack Obama.
“Administrata e mëparshme bëri disa gabime shumë të mëdha në lidhje me Turqinë dhe kjo ishte shumë e pahijshme”, tha Trump në Zyrën Ovale përderisa priti kryeministrin holandez, Mark Rutte.
“Kështu që, po e mendojmë atë, do të shohim se çfarë do të bëjmë. Nuk e kemi shpallur ende atë”, shtoi ai.
Të mërkurën, administrata e presidentit Trump filloi procesin e largimit të Turqisë nga programi luftarak F-35 për shkak të blerjes së sistemit S-400. Përjashtimi është planifikuar të përfundojë deri në fund të marsit të vitit 2020.
Dje, zëdhënësi presidencial i Turqisë, İbrahim Kalın, shprehu “shqetësim” mbi vendimin në një telefonatë me këshilltarin e sigurisë kombëtare amerikane, John Bolton.
Sipas njoftimit të zyrës presidenciale turke, Kalın tha se pezullimi nuk është në përputhje me deklaratat e mëparshme të presidentit Trump dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan.
Dërgesa e komponentëve të sistemit S-400 në Turqi filloi javën e kaluar dhe është në vazhdim, deri më tani me 15 dërgesa të pajisjeve të saj.