Bota

Trump i bën thirrje Indisë dhe Pakistanit të dialogojnë për Xhamu dhe Kashmirin

Trump i ka përcjellë kryeministrit Khan se India dhe Pakistani duhet të zbusin tensionin mbi çështjen e rajonit Xhamu dhe Kashmir përmes dialogut

Betül Yürük   | 17.08.2019
Trump i bën thirrje Indisë dhe Pakistanit të dialogojnë për Xhamu dhe Kashmirin

New York

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë thirrje për zbutjen e tensionit në rritje mes Indisë dhe Pakistanit përmes dialogut, pasi India i dha fund statusit të privilegjuar të rajonit Xhamu dhe Kashmir, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, thuhet se Trump dhe kryeministri pakistanez, Imran Khan, diskutuan zhvillimet rajonale përmes një bisede telefonike.

Trump i ka përcjellë kryeministrit Khan se India dhe Pakistani duhet të zbusin tensionin mbi çështjen e rajonit Xhamu dhe Kashmir përmes dialogut.

Vazhdon tensioni në rajon

Pas anulimit nga India më 5 gusht të nenit kushtetues që i njeh Kashmirit status të veçantë për më shumë se gjysmë shekulli, vazhdon tensioni për shkak të situatës në të cilin ndodhet rajoni dhe për të ardhmen e tij.

Që nga anulimi i nenit, në Xhamu dhe Kashmir vazhdojnë masat intensive të sigurisë dhe kufizimet.

Teksa zyrtarët indianë mbrojnë idenë e tyre se në Xhamu dhe Kashmir jeta ka filluar të kthehet në normalitet, shtypi ndërkombëtar raporton se në rajon vazhdojnë akoma kufizimet duke përfshirë ndërprerjen e internetit, telefonave celularë, linjave fikse, si dhe vërehen akoma barrikada policore nëpër rrugë.

Problemi i Kashmirit

Kashmiri, i vendosur në rajonin e Azisë Jugore, ndodhet mes Pakistanit, Indisë dhe Kinës. Zona, e cila ka një sipërfaqe prej 222.200 kilometra katrorë, ka qenë subjekt i një mosmarrëveshje mes Indisë dhe Pakistanit që nga ndarja e nën-kontinentit Indian në vitin 1947.

Problemi i Kashmirit filloi kur Pakistani dhe India shpallën pavarësinë e tyre si dy vende të ndryshme në gusht të vitit 1947 në gadhishullin Indian, i cili shpëtoi nga kolonia britanike.

Britania kur u tërhoq nga India në vitin 1947 e la të lirë Kashmirin, që drejtohej nga principata, të bashkohej me Indinë ose Pakistanin.

Princi i asaj kohe vendosi që Kashmiri të bashkohet me Indinë, edhe pse qëndrimi i 90 përqind të popullsisë së Kashmirit, që janë muslimanë, ishte për t'u bashkuar me Pakistanin në vitin 1947.

Populli musliman i Kashmirit kundërshtoi këtë vendim. Në vitin 1947, të dy palët luftuan për herë të parë kur Pakistani dhe India dërguan trupa në rajon. Për të njëjtën arsye, mes dy vendeve u zhvillua luftë edhe në vitet 1965 dhe 1999.

Sipas shifrave të fundit të qeverisë indiane, në vitin 2011 popullsia e përgjithshme e Xhamu dhe Kashmirit është 12.5 milion. Popullata në rajon përbëhet 68,3 përqind nga muslimanët, 28,4 përqind hindutë dhe rreth 1 për qind budistë.

Në vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të marra që nga viti 1948, theksohet de-militarizimi i Kashmirit dhe në vendimin Nr. 47 theksohet se në Xhamu dhe Kashmir duhet të kryhet votim popullor (referendum).

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın