Bota, Shëndetësi, Shkencë dhe Teknologji

Themeluesit e BioNTech presin që në vitin 2022, vaksinat kundër COVID-19 të jenë të disponueshme për të gjithë

Shkencëtarët turko-gjermanë po ashtu thanë se presin që rezultatet nga provat klinike, që filluan në vitin 2012, për luftën kundër kancerit të jenë të disponueshme brenda katër deri në pesë vitet e ardhshme

Ekip   | 22.10.2021
Themeluesit e BioNTech presin që në vitin 2022, vaksinat kundër COVID-19 të jenë të disponueshme për të gjithë

Madrid

Themeluesit e kompanisë farmaceutike BioNTech, Uğur Şahin dhe Özlem Türeci, kanë deklaruar se ata presin që të ketë furnizim të mjaftueshëm të vaksinave të koronavirusit të ri (COVID-19) nga mesi deri në fund të vitit 2022 për të imunizuar popullsinë globale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media në Oviedo të Spanjës, ku më vonë ata do të nderohen me çmimin prestigjioz "Princesha Asturias" për hulumtime teknike dhe shkencore, dyshja burrë e grua thanë se të gjitha vaksinat do të ndihmojnë në arritjen e këtij qëllimi.

Në BioNTech, kompania që punoi së bashku me kompaninë Pfizer për të zhvilluar vaksinën e parë të aprovuar kundër COVID-19, ata thanë se aktualisht po dërgojnë 40 për qind të vaksinave në vendet në zhvillim dhe po punojnë për të shtuar prodhimin në rajonet e nënshërbyera.

"Ne e shohim këtë si një mundësi për t'i bërë ato vende të vetëqëndrueshme. Ne tashmë kemi filluar të ndërtojmë objekte prodhimi në rajon, jo vetëm për të shpërndarë vaksinat atje, por edhe për t'i ndihmuar ata të krijojnë ekosistemet e tyre dhe të mësojnë aftësitë. Kjo nuk është e parëndësishme. Një proces i tillë vaksinimi kërkon njohuri. Do të marrë pak kohë, por ne mendojmë se ia vlen përpjekja", tha Türeci.

Shkencëtarët turko-gjermanë po ashtu thanë se presin që rezultatet nga provat klinike, që filluan në vitin 2012, për luftën kundër kancerit të jenë të disponueshme brenda katër deri në pesë vitet e ardhshme.

"Ndonëse mund të tingëllojë si fantashkencë të mund të prodhosh një vaksinë sipas kërkesës që është individualizuar dhe unike për pacientin, kjo është mënyra se si e filluam shumë vite më parë dhe ajo që na bëri të interesohemi për mRNA-në", tha Türeci.

Deri më tani, shtoi ajo, trajtimet kanë treguar siguri dhe aftësi për të tkurrur dhe kontrolluar tumoret duke aktivizuar sistemin imunitar të pacientëve kundër kancerit të tyre të veçantë.

"Është një proces rigoroz i zhvillimit shkencor dhe mendoj se vaksina të tilla do të jenë të realizueshme dhe pjesë e kujdesit tonë standard klinik", shpjegoi ajo.

Në mbrëmje, familja mbretërore spanjolle do t'i prezantojë të dy shkencëtarët, së bashku me figura të tjera kyçe në zhvillimin e vaksinës kundër COVID-19, si dhe do të nderojë ata me çmimin.

"Jemi shumë të lumtur dhe ndihemi të bekuar që mund të kontribuonim në reagimin ndaj pandemisë dhe në procesin e të treguarit se shkenca mund të mposhtë krizat e shkallës globale", tha Türeci.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın