Bota

Thaçi: Ngadalësimi i liberalizimit të vizave, i pakuptimtë

Presidenti Thaçi po qëndron në Bruksel për të kërkuar nga krerët e BE-së vazhdimin e mbështetjes për Kosovën dhe liberalizimin e vizave

Agim Sulaj   | 15.04.2019
Thaçi: Ngadalësimi i liberalizimit të vizave, i pakuptimtë

Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel, në takimet e ndara me krerë të Bashkimit Evropian (BE) ka diskutuar çështjen e liberalizimit të vizave, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Thaçi po qëndron në Bruksel për të kërkuar nga krerët e BE-së vazhdimin e mbështetjes për Kosovën dhe liberalizimin e vizave për kosovarët. Ai takoi presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe komisionerin evropian për zgjerim, Johannes Hahn.

Siç njofton Thaçi në llogarinë e tij në twitter, me komisionerin Hahn ka biseduar për rëndësinë e një vendimi të shpejtë për liberalizimin e vizave për kosovarët. 

”Bisedova me Komisionarin Johannes Hahn mbi çështjen e nevojës për angazhim të fortë në Bruksel si dhe angazhim në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian në Prishtinë. Shpreha nevojën thelbësore për një vendim të shpejtë për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe hapat e ardhshëm vendimtar për të përmbushur agjendën evropiane”, shkroi Thaçi në twitter.

Ndërkaq, Zyra e Presidentit të Kosovës njoftoi se presidenti Thaçi ka theksuar se mungesa e një perspektive të qartë për integrim po krijon hapësirë për ideologji të rrezikshme anti-evropiane në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Qytetarët e Kosovës, si populli më proevropian, kanë filluar të humbasin durimin. Një vendim për vizat në këtë vit dhe një zotim për dinamikë të re në integrimet evropiane, do ta rikthente besimin e humbur në BE-në”, ka thënë ai. 

Thaçi: BE-ja duhet ta marrë vendimin e vonuar për heqjen e vizave 

Në takimin në Bruksel me Tusk, ngadalësimin e vendimit për liberalizimin e vizave për kosovarët presidenti Thaçi e ka quajtur "të pakuptimtë dhe të papranueshëm". 

Siç njofton Zyra e Presidentit të Koosvës, Thaçi dhe Tusk kanë biseduar për situatën politike, për perspektiven evropiane, për liberalizimin e vizave dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 

Presidenti Thaçi ka theksuar se rajoni po vazhdon të jetë në një "status quo" të vështirë, e cila sipas tij po ngadalëson shumë procese. 

“Zgjidhja e të gjitha mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe një qartësi, dinamikë dhe zotim më i madh i BE-së për perspektiven e vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë përgjigja më e mirë ndaj këtij stagnimi”, u shpreh presidenti Thaçi. 

Pas plotësimit të të gjitha kritereve, presidenti Thaçi ka thënë se ngadalësimi i vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është i pakuptimtë dhe i papranueshëm, pavarësisht arsyetimeve të vazhdueshme nga BE-ja dhe shtetet anëtare. 

Presidenti Thaçi ka theksuar se Brukseli dhe Perëndimi janë orientimi i vetëm strategjik i Republikës së Kosovës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın