Telefonatë Erdoğan-Zelenskyy: Turqia e gatshme të mbështesë bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë në çdo fazë
Në një telefonatë, presidenti Erdogan dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çështjet rajonale dhe globale

Stamboll
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, shprehu gatishmërinë e Turqisë për të dhënë mbështetjen e nevojshme në çdo fazë të bisedimeve të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, transmeton Anadolu.
Në një telefonatë, presidenti Erdogan dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çështjet rajonale dhe globale, tha Presidenca e Turqisë në X.
"Gjatë telefonatës, presidenti Erdogan theksoi rëndësinë e vullnetit për të rifilluar bisedimet e drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës dhe tha se Turqia është e gatshme të ofrojë mbështetjen e nevojshme në çdo fazë të procesit”, shtoi ajo.
Erdoğan ka thënë se Ankaraja do të ishte e kënaqur të priste delegacionet ruse dhe ukrainase në Turqi për negociata paqeje.
Duke theksuar se një armëpushim gjithëpërfshirës do të krijonte kushtet e nevojshme për fillimin e negociatave të paqes, Erdoğan u ka bërë thirrje palëve ndërluftuese të mos e humbasin “dritaren e mundësisë”.
Ndërkaq, Zelenskyy ka shprehur mirënjohje ndaj Erdoğanit për “mbështetjen dhe gatishmërinë e tij për të lehtësuar diplomacinë në nivelin më të lartë”, duke vënë në dukje se takimi në Turqi mund të jetë një hap i rëndësishëm drejt përfundimit të luftës.
“Është gjithashtu thelbësore që partnerët tanë të sigurojnë monitorimin e armëpushimit”, ka thënë ai, duke përsëritur gatishmërinë e Kievit për negociata të drejtpërdrejta me presidentin rus Vladimir Putin.
“Unë dhe presidenti Erdogan ramë dakord të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të siguruar paqen”, ka përfunduar Zelenskyy.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.