Bota

Tajvani: Ushtria e Kinës ka kryer "sulm të simuluar" kundër ishullit

- Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit njoftoi se Kina në ditën e tretë të stërvitjes ushtarake që filloi pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, ka kryer "sulm të simuluar" kundër ishullit

Emre Aytekin  | 06.08.2022 - Përdıtësım : 07.08.2022
Tajvani: Ushtria e Kinës ka kryer "sulm të simuluar" kundër ishullit

Pekin

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit njoftoi se Kina në ditën e tretë të stërvitjes ushtarake që filloi pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, ka kryer "sulm të simuluar" kundër ishullit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga ministria thuhet se "Një numër i madh avionësh luftarakë dhe anijesh të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës (PLA) janë vërejtur në Ngushticën e Tajvanit dhe disa prej tyre e kanë kaluar 'vijën e mesme'. Mund të jetë simulim sulmi ndaj objektivave në ishull".

Më tej bëhet e ditur se mjetet janë paralajmëruar përmes radiove marrëse dhe se ato janë vënë në ndjekje nga avionët patrullues ushtarak dhe nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Ndërkohë ministria njoftoi se në ishullin Kinmen (Quemoy) nën kontrollin e Tajvanit dhe përreth disa ishujve në afërsi mbrëmë natën është përcaktuar fluturimi i 4 mjeteve ajrore pa pilot (dronë) që i përkasin Kinës.

Mjetet ajrore pa pilot janë vërejtur në ishullin Kinmen dhe në afërsi të ishujve Lieyu dhe Beiding ndërsa ushtria e Tajvanit ka ndezur fishekët për paralajmërim.

Ishulli Kinmen ndodhet rreth 10 kilometra nga brigjet e Kinës.

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit në një deklaratë më parë njoftoi se përreth ishullit janë vërejtur 68 avionë luftarakë dhe 13 luftanije dhe disa prej tyre kaluan "vijën e mesme" e cila konsiderohet si kufizim i zonave të ndikimit. Më tej thuhet se 11 raketa të lëshuara nga territori kryesor i Kinës, ranë në rajonin që Tajvani i konsideron si "ujëra territoriale".

Stërvitjet të cilat parashikohen të vazhdojnë deri më 7 gusht kanë krijuar një bllokadë "de facto" rreth ishullit për të cilin Kina është në konflikt për sovranitet. Për shkak të stërvitjeve që zhvillohen në gjashtë zona, disa zona janë mbyllur për trafikun e anijeve dhe avionëve dhe se janë shënuar ndërprerje të udhëtimeve për shkak të shqetësimit të sigurisë në ngushticë.

"Vija e mesme" e cila nga palët nuk njihet zyrtarisht u përcaktua nga SHBA-ja në vitin 1955 për të parandaluar konfliktet në ngushticë dhe përreth saj pas luftës së brendshme në Kinë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın