Bota

Sudan, mijëra njerëz ikin nga Kordofani Verior për shkak të shkeljeve të RSF-së

"Numri i personave të zhvendosur ka tejkaluar 4.500 ndërsa pjesa tjetër mbetet në rrugë në kushte të vështira dhe përballet me mungesa të mëdha ushqimi, uji dhe strehimi", tha grupi mjekësor

Mohammad Sıo  | 31.10.2025 - Përdıtësım : 31.10.2025
Sudan, mijëra njerëz ikin nga Kordofani Verior për shkak të shkeljeve të RSF-së

Stamboll

Sipas një grupi mjekësor sudanez, mbi 4.500 njerëz janë larguar nga shteti i Kordofanit Verior të Sudanit mes sulmeve dhe shkeljeve të vazhdueshme nga Forcat Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), transmeton Anadolu.

"Shteti i Kordofanit Verior po përjeton një eksod të shpejtë nga lokaliteti Bara drejt qytetit El Obeid për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë dhe shkeljeve të vazhdueshme të kryera nga RSF-ja kundër civilëve", tha Rrjeti i Mjekëve të Sudanit në një postim në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

"Raportet në terren tregojnë se numri i personave të zhvendosur ka tejkaluar 4.500, përfshirë 1.900 që kanë arritur në El Obeid ndërsa pjesa tjetër mbetet në rrugë në kushte të vështira dhe përballet me mungesa të mëdha ushqimi, uji dhe strehimi", tha grupi mjekësor.

Dje, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) tha se rreth 1.100 persona janë larguar nga Bara për shkak të përkeqësimit të pasigurisë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të civilëve të zhvendosur gjatë katër ditëve të fundit në 35.620.

Që nga 15 prilli i vitit 2023, ushtria sudaneze dhe RSF-ja janë përfshirë në një luftë që ndërmjetësime të shumta rajonale dhe ndërkombëtare nuk kanë arritur ta përfundojnë. Sipas raporteve të OKB-së dhe atyre lokale, konflikti ka vrarë rreth 20 mijë njerëz dhe ka zhvendosur mbi 15 milionë si refugjatë dhe të zhvendosur brenda vendit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın