Bota

Stoltenberg: Samiti i NATO-s në Madrid është një takim me rëndësi të madhe

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, bëri një deklaratë për shtyp pasi vizitoi me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, Qendrën e Ekspozitës IFEMA, ku do të mbahet Samiti i NATO-s në Madrid në datat 28-30 qershor

Ömer Tuğrul Çam, Şenhan Bolelli   | 28.06.2022
Stoltenberg: Samiti i NATO-s në Madrid është një takim me rëndësi të madhe

Madrid

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se Samiti i NATO-s në kryeqytetin e Spanjës, Madrid, do të jetë një takim i një rëndësie të madhe, transmeton Anadolu Agency (AA).

Stoltenberg foli për mediat pasi së bashku me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, vizitoi Qendrën e Ekspozitës IFEMA, ku do të mbahet Samiti i NATO-s në Madrid në datat 28-30 qershor.

Pasi falënderoi Spanjën për mikpritjen dhe kontributet e saj që ajo ka bërë për NATO-n, Stoltenberg tha se samiti i Madridit mbart cilësinë e një takimi historik shumë të rëndësishëm.

Stoltenberg tha se në Samitin e NATO-s në Madrid do të miratohet dokumenti i Konceptit Strategjik, i cili do të jetë udhërrëfyesi përpara aleancës në "një botë më të rrezikshme dhe më pak të parashikueshme".

Duke theksuar se do të sigurohet një marrëveshje mbi një ndryshim serioz që do të përfshijë forca me më shumë përgatitje të lartë për çështjet e sigurisë, Stoltenberg gjithashtu tha se do të arrihet një marrëveshje për një paketë gjithëpërfshirëse mbështetjeje për Ukrainën, e cila po lufton me Rusinë, si dhe se mbështetja për Ukrainën do të vazhdojë.

Stoltenberg theksoi se gjithashtu do të diskutohen edhe aplikimet e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO, se duan të sigurojnë përparim në këtë çështje dhe se NATO gjithashtu dëshiron të investojë më shumë në mbrojtje.


- Sanchez: Samiti me pjesëmarrjen më të madhe

Kryeministri spanjoll në fjalën e tij tha se samiti në Madrid, ku do të marrin pjesë krerët e shteteve apo qeverive të 44 vendeve, 30 prej të cilëve janë anëtarë, është samiti me pjesëmarrjen në aspektin e nivelit më të lartë dhe me pjesëmarrjen më intensive në historinë e NATO-s.

"Ju falënderoj për udhëheqjen tuaj në një kohë kaq të vështirë dhe komplekse", tha Sanchez, duke iu drejtuar shefit të NATO-s, Stoltenberg.

Sanchez tha se aplikimi i Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO, që ende nuk janë zgjidhur shqetësimet e Turqisë, ka një vend të rëndësishëm në këtë samit dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s po punon shumë për këtë.

"Anëtarësimi në NATO i dy demokracive të rëndësishme si Finlanda dhe Suedia do të jetë një prej sukseseve më të mëdha të aleancës. Nëse ky bashkim nuk ndodh këtu tani, do të ndodhë më vonë", theksoi Sanchez.

Sanchez tha se në samitin që do të zgjasë deri më 30 qershor, vendet anëtare të NATO-s dhe të ftuarit do të "diskutojnë sfidat globale, do të përcaktojnë se cilat janë kërcënimet, burimet për t'iu kundërvënë këtyre dhe mënyrën se si do t'i përdorin ato".

Duke deklaruar se do të vazhdojnë të mbajnë një qëndrim të qartë kundër Rusisë, Sanchez tha se, "Qëllimi ynë është shumë i qartë. Ne do të japim një mesazh uniteti edhe si anëtar të NATO-s edhe të BE-së brenda NATO-s. Ne do të theksojmë vlerat që bashkojnë demokracitë tona, të drejtat e njeriut dhe garantimin e rendit ndërkombëtar në përputhje me rregullat e përcaktuara nga OKB-ja".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.