Bota

Stoltenberg diskuton tensionet Rusi-Ukrainë me kryeministrin spanjoll

"E falënderova për kontributet jetike të Spanjës në NATO, së fundmi me vendosjen e fregatës Blas de Lezo", tha mes tjerash Serketari i Përgjithshëm i NATO-s

Büşra Nur Çakmak   | 24.01.2022
Stoltenberg diskuton tensionet Rusi-Ukrainë me kryeministrin spanjoll

Ankara

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez diskutuan mbi tensionet në rritje midis Rusisë dhe Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Fola me kryeministrin Pedro Sanchez për të përgatitur Samitin e NATO-s në Madrid", shkroi Stoltenberg në Twitter.

"E falënderova për kontributet jetike të Spanjës në NATO, së fundmi me vendosjen e fregatës Blas de Lezo. Ne diskutuam për Rusinë dhe Ukrainë. Ne qëndrojmë të bashkuar, të gatshëm për të mbrojtur njëri-tjetrin dhe të gatshëm për dialog”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, Sanchez përmes një postimi u shpreh se "Spanja është e përkushtuar për sigurinë e Evropës".

"Ne mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe besojmë se diplomacia dhe dialogu do të jenë mënyra për të de-eskaluar këtë krizë", shtoi ai.

Një luftanije spanjolle me rreth 200 marinarë u nis për në Detin e Zi të shtunën për të forcuar praninë e NATO-s në rajon ndërsa tensionet po rriten rreth kufijve të Ukrainës, ku ka një grumbullim të madh ushtarak rus.

Anija fillimisht ishte planifikuar t'i bashkohej misionit të NATO-s pas rreth tre javësh, por nisja e saj u përshpejtua pasi kriza midis Rusisë, Ukrainës dhe aleatëve të saj u intensifikua.

Sipas faqes së internetit të NATO-s, fregata spanjolle do t'i bashkohet Grupit të Përhershëm Detar 2 të NATO-s (SNMG2), i cili tashmë përfshin anije luftarake turke dhe italiane.

Roli i grupit është t'i sigurojë NATO-s një aftësi të menjëhershme të reagimit operacional.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın