Bota

Stano: Marrëveshja Turqi-BE për emigrantët edhe më tej është në fuqi

"Sipas mendimit tonë edhe më tej është në fuqi marrëveshja Turqi-BE për emigrantët dhe presim që Turqia të përmbushë angazhimet e saj që dalin nga kjo marrëveshje", tha Stano

Şerife Çetin  | 28.02.2020 - Përdıtësım : 28.02.2020
Stano: Marrëveshja Turqi-BE për emigrantët edhe më tej është në fuqi

Bruksel

Bashkimi Evropian ka njoftuar se edhe më tej është në fuqi marrëveshja për emigrantët e nënshkruar me Turqinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano në një konferencë për media foli lidhur me pretendimet se "Turqia ka hapur dyert për refugjatët".

"Sipas mendimit tonë edhe më tej është në fuqi marrëveshja Turqi-BE për emigrantët dhe presim që Turqia të përmbushë angazhimet e saj që dalin nga kjo marrëveshje", tha Stano i cili theksoi se nga Ankaraja nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare në këtë drejtim.

Pasi rikujtoi se edhe Ministria e Jashtme e Turqisë ka riafirmuar se nuk ka ndonjë ndryshim në politikën e saj për emigrantët, Stano shtoi se pretendimet në fjalë i kanë lexuar në median sociale.

"Nëse do të jetë e nevojshme do të kalojmë në veprim"

"Po ndjekim nga afër situatën. Nëse do të jetë e nevojshme do të kalojmë në veprim", tha Stano duke shtuar se përkundër pretendimeve, BE-ja do të bëjë vlerësimin e saj duke biseduar me vendet anëtare lidhur me rrjedhën e migracionit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoy tha se zhvillimet në Idlib kanë rritur presionin e migracionit mbi Turqinë. "Disa refugjatë dhe emigrantë në vendin tonë të shqetësuar nga zhvillimet kanë filluar të lëvizin drejt kufijve tanë perëndimorë. Nëse situata përkeqësohet ky rrezik do të rritet edhe më shumë", tha Aksoy.

"Vendi ynë i cili strehon numrin më të madh të refugjatëve në botë, nuk ka ndonjë ndryshim në politikën e tij lidhur me emigrantët dhe refugjatët", tha ai.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın