Spanjë, testimi i parë i autobusëve elektrikë pa shofer për transportin publik ka filluar në Madrid
Autobusi i cili mund të arrijë shpejtësi deri në 40 kilometra në orë në kushte normale, do të udhëtojë me një shpejtësi maksimale prej 15 kilometrash në orë gjatë periudhës së testimit dhe se karikimi i baterisë është i kufizuar në 8-10 orë

Madrid
Projekti i parë i autobusit elektrik pa shofer në transportin publik në Spanjë ka filluar në kryeqytetin Madrid, raporton Anadolu.
Si pjesë e një projekti të nisur nga qeveria autonome e Madridit për të mbështetur masa të reja miqësore me mjedisin dhe të qëndrueshme të transportit publik me rastin e "Javës Evropiane të Lëvizshmërisë" që zhvillohet midis 16-22 shtatorit, u krye testimi i parë i autobusit elektrik pa shofer në zonën e parkimit Casa de Campo të qytetit.
Autobusi elektrik pa shofer, i cili operon në një zonë të vogël me vetëm gjashtë ndalesa, ka një kapacitet prej 12 personash.
Autobusi i cili mund të arrijë shpejtësi deri në 40 kilometra në orë në kushte normale, do të udhëtojë me një shpejtësi maksimale prej 15 kilometrash në orë gjatë periudhës së testimit dhe se karikimi i baterisë është i kufizuar në 8-10 orë.
"Ky është një automjet që e kemi zhvilluar për transportin publik të pasagjerëve dhe kemi filluar testimin pilot. Është një automjet që mund të përdoret vetëm për distanca të shkurtra prej 1-5 kilometrash", tha për Anadolu drejtori i Divizionit të Elektronikës dhe Lëvizshmërisë Inteligjente të CTAG Francisco Sanchez.
Duke theksuar se së shpejti do të fillojnë provat në Universitetin e Vigos në Spanjën veriore, përveç Madridit, Sanchez tha: "Këto automjete ofrojnë një zgjidhje për problemet e transportit publik dhe do të jenë të hapura për konkurrencë në treg shumë shpejt. Aktualisht, këto automjete po testohen në shumë qytete anembanë botës".
Sanchez vuri në dukje se nuk ka asnjë automjet për të zëvendësuar autobusët e mëdhenj publikë 12 metra që janë aktualisht aktivë në të gjitha qytetet, dhe se automjete të tilla mund të përdoren në qendrat e qyteteve, zonat e parkimit, universitetet dhe vendet industriale ku automjetet më të mëdha nuk mund të hyjnë.
Meqenëse mjetet e transportit publik nuk mund të lihen pa shofer për shkak të rregulloreve aktuale në Spanjë, në mjetin që filloi provën u përfshi edhe një "mbikëqyrës".
Edhe pse autoritetet theksuan se automjeti është i sigurt, u vu re se ai është shumë i ndjeshëm ndaj këmbësorëve, mjeteve që kalojnë si biçikletat dhe motoçikletat, dhe gjatë testeve pilot, "mbikëqyrësi" shpesh iu desh të kalonte nga përdorimi automatik në atë fizik.
Qeveria autonome e Madridit planifikon të përdorë në mënyrë aktive këtë lloj automjetesh elektrike pa shofer që nga viti 2026.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.