Alyssa Mcmurtry
04 gusht 2026•Përditësim: 04 gusht 2026
Rreth 70 mijë migrantë janë larguar nga enklava spanjolle e Ceuta-s pas kalimit masiv dhe të paprecedentë të kufirit javën e kaluar, tha ministri i Brendshëm i Spanjës ndërsa autoritetet vazhdojnë kërkimet për personat e zhdukur dhe tensionet politike janë rritur lidhur me mënyrën se si qeveria e menaxhoi krizën, transmeton Anadolu.
Ministri i Brendshëm Fernando Grande-Marlaska tha se rreth 72 mijë migrantë hynë në Ceuta gjatë kalimit masiv nga Maroku fqinj ndërsa rreth 70 mijë prej tyre janë kthyer që atëherë.
"Jemi në proces të zgjidhjes së statusit ligjor të atyre që mbeten në Spanjë dhe ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë do të kthehen në përputhje me ligjin spanjoll dhe atë ndërkombëtar", tha ai pas takimit të jashtëzakonshëm të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian (BE).
Ministri gjithashtu konfirmoi se numri zyrtar i viktimave është rritur në 75, pasi u gjetën edhe tre trupa të tjerë.
"Këto 75 vdekje janë pasojë e mafieve kriminale që trafikojnë njerëzit më të cenueshëm dhe nuk tregojnë asnjë respekt për jetën njerëzore", tha ai duke bërë thirrje për bashkëpunim më të fortë ndërkombëtar kundër rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore.
Grande-Marlaska tha se ministrat e BE-së vlerësuan reagimin e Spanjës ndaj krizës dhe theksuan se bashkëpunimi i ngushtë me Marokun ishte kyç për kthimin e shumicës dërrmuese të atyre që mbërritën dhe për parandalimin e një katastrofe edhe më të madhe humanitare.
Ai tha se ministrat ranë dakord për nevojën e luftimit të dezinformatave në internet, duke argumentuar se informacionet e rreme që qarkullonin në rrjetet sociale nxitën kalimin masiv dhe rrezikuan jetët duke i inkurajuar njerëzit të ndërmerrnin udhëtimin.
Spanja mbetet e përkushtuar në luftën kundër migracionit të parregullt, duke mbështetur njëkohësisht "migracion të sigurt, të ligjshëm dhe të rregullt", tha ai.
Garda Civile hapi zyrë të posaçme në Ceuta për të pranuar raportimet për persona të zhdukur nga familjarët e migrantëve që u zhdukën gjatë kalimit. Policia i tha të përditshmes spanjolle "El Pais" se rreth 44 persona rezultojnë ende të zhdukur.
Autoritetet në Ceuta thanë se aktualisht po kujdesen për rreth 1.000 fëmijë migrantë të pashoqëruar, të cilët mbetën në enklavë pas kalimit. Qeveria spanjolle njoftoi gjithashtu 25 milionë euro fonde shtesë emergjente për të mbështetur kujdesin ndaj tyre.
Por, pavarësisht përmbledhjes pozitive të Grande-Marlaska-s për takimin e ministrave të Brendshëm, kriza vazhdon të përballet me kritika të ashpra politike si në Spanjë ashtu edhe jashtë saj. Të martën, kryetari i Partisë Popullore Evropiane (EPP), Manfred Weber fajësoi qasjen liberale të Spanjës ndaj migracionit për krizën dhe vdekjet në zonën kufitare.
Delegacioni i Partisë Popullore Spanjolle në Parlamentin Evropian akuzoi qeverinë e kryeministrit Pedro Sanchez se ka rrezikuar kufijtë e jashtëm të Spanjës dhe të BE-së dhe siguroi zhvillimin e një debati parlamentar për krizën në shtator.
Lideri i partisë së ekstremit të djathtë Vox, Santiago Abascal, e përshkroi kalimin si një "pushtim" dhe akuzoi qeverinë se po inkurajon migracionin e parregullt dhe po dështon në mbrojtjen e sovranitetit të Spanjës.
Grande-Marlaska i bëri thirrje Italisë të rishqyrtojë vendimin për rikthimin e kontrolleve kufitare me Spanjën për shkak të krizës, duke thënë se zona Schengen nuk është cenuar, pasi Ceuta funksionon sipas një regjimi të veçantë kufitar dhe migrantët nuk kanë kaluar më tej drejt Evropës.