Bota

Shtypi amerikan: Sauditët u përpoqën të bllokojnë marrëveshjen Izrael-Jordani-EBA

Raportohet se sauditët u ndien të shqetësuar nga marrëveshja e nënshkruar nga Jordania, Izraeli dhe EBA në fillim të javës për "deklarimin e qëllimit" për fillimin e procesit të fizibilitetit të një projekti të përbashkët

Enes Canlı   | 25.11.2021
Shtypi amerikan: Sauditët u përpoqën të bllokojnë marrëveshjen Izrael-Jordani-EBA

Kuds

Shtypi amerikan pretendon se Arabia Saudite nuk ishte e kënaqur me marrëveshjen e përbashkët të energjisë diellore dhe trajtimit të ujit midis Izraelit-Jordanisë-Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe u përpoq të bllokonte marrëveshjen, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të "Axios" me bazë në SHBA, thuhet se sauditët u ndien të shqetësuar nga marrëveshja e nënshkruar nga Jordania, Izraeli dhe EBA në fillim të javës për "deklarimin e qëllimit" për fillimin e procesit të fizibilitetit të një projekti të përbashkët në fushën e energjisë dhe ujit në vitin 2022.

Sipas marrëveshjes, EBA do të ndërtojnë një vend të prodhimit të energjisë diellore në Jordani, nga i cili administrata e Ammanit do të dërgojë 600 megavat energji diellore çdo vit në Izrael. Në këmbim, Izraeli do të ndërtojë një impiant për trajtimin e ujit dhe do t'i sigurojë 200 milionë metra kub ujë të pastruar Jordanisë me një popullsi prej 10 milionë banorësh, e cila është vendi i dytë më i varfër në botë për sa i përket ujit sipas indeksit global të ujit.

Duke folur për faqen e internetit "Axios" tre burime thanë se Riadi po përpiqet të bllokojë marrëveshjen me arsyetimin se ajo do të frustronte Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, i cili synon të udhëheqë rajonin në fushën e ndryshimeve klimatike me vizionin e "Lindjes së Mesme të Gjelbër".

Më tej thuhet se EBA dhe Izraeli ishin në komunikim zyrtar si rezultat i marrëveshjes së normalizimit që nënshkruan së fundmi, por Arabia Saudite mbeti jashtë sepse nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Tel Avivin.

Zyrtarët izraelitë deklaruan se sauditët thirrën homologët e tyre në EBA për të shprehur shqetësimin e tyre dhe i kërkuan Abu Dhabit të tërhiqet nga marrëveshja.

Po ashtu thuhet se Riadi ofroi një marrëveshje Arabi Saudite-EBA-Jordani, duke përjashtuar Tel Avivin.

Ndërkaq theksohet se EBA duan të bëjnë disa ndryshime kozmetike në tekstin e marrëveshjes për t'i kënaqur sauditët, duke informuar Përfaqësuesin Special të SHBA-së për Klimën, John Kerry, Izraelin dhe Jordaninë për situatën, dhe se palët në marrëveshje nuk e kundërshtuan këtë.

Gjithashtu thuhet se nënshkrimi i marrëveshjes u vonua disa orë për shkak të ndërhyrjes së Arabisë Saudite, por më pas ajo u nënshkrua të hënën, më 22 nëntor, me pjesëmarrjen e Kerry-t.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın