Agim Sulaj
04 gusht 2026•Përditësim: 04 gusht 2026
Në Shqipëri janë raportuar 20 vatra të zjarrit në zona të ndryshme të vendit gjatë 24 orëve të fundit, transmeton Anadolu.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, nëpërmjet rrjeteve sociale ka bërë të ditur se 727 forca operacionale janë angazhuar gjatë 24 orëve të fundit në menaxhimin e 20 vatrave të zjarrit.
Sipas ministrit, në mbështetje të strukturave vendore, u angazhuan posaçërisht 128 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë mjekësore dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Nufi vlerësoi angazhimin e forcave operacionale dhe efektivëve të Forcave të Armatosura duke thënë se janë pikërisht këta njerëz të sakrificës dhe me uniformë që zgjedhin të ecin drejt rrezikut për ta eliminuar atë, dhe jo t’i qëndrojnë larg tij.
“Mirënjohje të thellë për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e pashoq, që po tregoni duke mbrojtur jetën, komunitetet dhe pasurinë tonë natyrore. Shqipëria krenohet me ju! Sakrifica, vendosmëria dhe shërbimi juaj janë shembulli më i mirë i detyrës ndaj Republikës!”, shkroi Nufi.