Shpërthim në supermarket në Meksikë, të paktën 23 të vdekur
Shpërthimi ka ndodhur pas një zjarri në një dyqan të rrjetit “Waldo’s” në qytetin Hermosillo, në shtetin veriperëndimor Sonora.
Stamboll
STAMBOLL (AA) – Të paktën 23 persona kanë humbur jetën të shtunën në një shpërthim në një supermarket në Meksikë, sipas raportimeve të mediave, transmeton Anadolu.
Shpërthimi ka ndodhur pas një zjarri në një dyqan të rrjetit “Waldo’s” në qytetin Hermosillo, në shtetin veriperëndimor Sonora.
Edhe pse shifrat zyrtare ende nuk janë publikuar, raportimet paraprake nga mediat tregojnë për të paktën 23 të vdekur dhe më shumë se dhjetë të plagosur.
Zjarri është vënë nën kontroll dhe është hapur hetim për të përcaktuar shkakun e shpërthimit.
Një rrjedhje gazi ose grumbullim karburanti raportohet të jenë ndër hipotezat që po shqyrtohen, sipas gazetës “La Jornada”.
Sekretariati i sigurisë publike të Sonorës ka përjashtuar “një sulm ose ngjarje të lidhur me akt dhune kundër civilëve”.
Presidentja Claudia Sheinbaum shprehu ngushëllimet për viktimat.
“Kam qenë në kontakt me guvernatorin e Sonorës, Alfonso Durazo, për të ofruar mbështetjen e nevojshme. I kam dhënë udhëzime ministres së Brendshme, Rosa Icela Rodriguez, të dërgojë një ekip mbështetës për të ndihmuar familjet dhe të plagosurit”, shkroi ajo në platformën sociale amerikane X.
