Berk Kutay Gökmen
04 gusht 2026•Përditësim: 04 gusht 2026
Autoritetet në Guatemalë kanë evakuuar të paktën dy fshatra pas shpërthimit të vullkanit Fuego, sipas raportimeve të mediave sot, transmeton Anadolu.
Të hënën, Fuego, një nga vullkanet më aktivë në hemisferën perëndimore, filloi të nxjerrë lavë dhe hi duke nxitur masa sigurie. Nga sot herët, agjencia e monitorimit të vullkanit të vendit raportoi se rrjedhat piroklastike, të përbëra nga gaze të nxehtë, hiri dhe mbeturina vullkanike, vazhdojnë të lëvizin poshtë shpatit juglindor të vullkanit, sipas BBC.
Si përgjigje, agjencia e menaxhimit të fatkeqësive të Guatemalës, Conred, shpalli alarm portokalli mbarëkombëtar, niveli i dytë më i lartë i paralajmërimit dhe paralajmëroi se mund të zhvillohen rrjedha shtesë piroklastike dhe re të mëdha hiri.
Banorët u këshilluan të mbajnë dyert dhe dritaret e mbyllura ndërsa shkollat pranë vullkanit pezulluan mësimet si masë paraprake. Fuego shtrihet rreth 16 kilometra në perëndim të Antiguas, një qytet i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s i njohur për arkitekturën e tij koloniale që është destinacion popullor turistik. Vetë vullkani është gjithashtu atraksion i njohur për ecje.
Zyrtarët u kanë kërkuar banorëve dhe vizitorëve të shmangin shpatet e vullkanit dhe zonat e tjera me rrezik të lartë. Në vitin 2018, shpërthimi i Fuegos vrau më shumë se 200 njerëz, shumë prej tyre kur rrjedhat piroklastike që lëviznin me shpejtësi u përfshinë nëpër luginën Las Lajas.