Shefi i Pentagonit: SHBA-ja kreu një tjetër sulm ndaj një anijeje që trafikonte narkotikë në Karaibe
Sulmi ka vrarë tre persona në bordin e anijes, tha sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth.
Stamboll
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi të shtunën se SHBA-ja ka kryer një tjetër sulm vdekjeprurës ndaj një anijeje të trafikut të drogës në Karaibe, transmeton Anadolu.
“Sot, me urdhër të presidentit Trump, Departamenti i Luftës kreu një sulm kinetik vdekjeprurës ndaj një anijeje tjetër të trafikut të drogës të operuar nga një Organizatë e Përcaktuar Terroriste (DTO) në Karaibe”, shkroi Hegseth në platformën amerikane të medias sociale X.
Ai theksoi se anija ishte e njohur nga inteligjenca amerikane për përfshirje në kontrabandë të paligjshme narkotikësh.
“Të tre personat meshkuj në bord ishin narkoterroristë dhe ishin në anije gjatë sulmit, i cili u krye në ujëra ndërkombëtare. Të tre terroristët u vranë dhe asnjë forcë amerikane nuk u dëmtua në këtë sulm”, shtoi ai.
Washingtoni ka kryer mbi dhjetë sulme, kryesisht në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor, duke vrarë të paktën 64 persona që nga shtatori.
Grupet e të drejtave të njeriut dhe ekspertët ligjorë kanë vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e këtyre operacioneve, duke thënë se sulmet amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge shkelin të drejtën ndërkombëtare.
Kreu i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, i ka quajtur sulmet “të papranueshme” dhe ka bërë thirrje për një hetim të pavarur mbi atë që zyra e tij e ka përshkruar si vrasje jashtëgjyqësore.
