Bota

"SHBA 'vjedh' furnizimet mjekësore në mes të pandemisë"

Akuzat për vjedhje ndodhin në kohën kur autoritetet amerikane akuzohen për konfiskimin e furnizimeve mjekësore të nevojshme që ishin rrugës duke u dërguar në vendet e tjera

Vakkas Doğantekin   | 10.04.2020
"SHBA 'vjedh' furnizimet mjekësore në mes të pandemisë"

Ankara

Eksperti amerikan Chris Edwards nga Instituti Cato pretendon se qeveria amerikane "po vjedh furnizimet mjekësore" në mes të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), gjë që sipas tij është "abuzive" nga perspektiva e lirive civile, transmeton Anadolu Agency (AA).

"A po vjedh Qeveria Federale pajisjet mjekësore?", pyeti Edwards, i cili është drejtori i studimeve të politikave tatimore në Institutin Cato dhe redaktori i faqes www​.Down​siz​ing​Gov​ern​ment​.org, në blogun e tij të fundit për institutin.

"Me sa duket, kjo duket të jetë rasti", u përgjigj ai në pyetjen e tij retorike.

"Los Angeles Times e quan atë 'konfiskim', por është e njëjta gjë pasi këto janë produkte legale që qeveria nuk i porositi. Shtëpia e Bardhë dhe FEMA (Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave) po vërshojnë për të rrëmbyer maska, termometra dhe gjëra të tjera në një proces të fshehtë, me sa duket me pak mbështetje", shkroi Edwards.

Akuzat për vjedhje ndodhin në kohën kur autoritetet amerikane akuzohen gjithashtu për konfiskimin e furnizimeve mjekësore të nevojshme që ishin rrugës duke u dërguar në vendet e tjera, qoftë duke paguar më shumë në minutën e fundit në aeroporte para nisjes së dërgesave ose duke ndaluar anijet e ngarkesave që largoheshin nga SHBA.

Të mërkurën, Alden McLaughlin, kryeministri i Ishujve Kajman tha se është një "zhgënjim i madh" të shohësh SHBA-në duke larguar 8 respiratorë, 50 mijë maska dhe pajisje të tjera mjekësore nga një anije e destinuar për territorin e Britanisë së Madhe në pjesën perëndimore të Karaibeve.

Një ditë më vonë, ai njoftoi në Twitter se "SHBA-të kanë lëshuar dërgesën që përmban respiratorët dhe sendet e tjera thelbësore që ishin porositur" dhe falënderoi ambasadorin amerikan në Xhamajka për përpjekjet e tij për "ta realizuar këtë".

Javën e kaluar, Gjermania dhe Franca kritikuan SHBA-në pasi dyshohet se sekuestruan miliona maska të destinuara për t'u dërguar në vendet evropiane në mes të krizës së koronavirusit.

Ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Andreas Geisel shkoi edhe më tej dhe e quajti këtë "pirateri të kohës moderne".

Në një prononcim për "Financial Times", ai u shpreh se "ne konsiderojmë këtë si një veprim të piraterisë moderne", tha ai, duke shtuar: "Ju nuk duhet t'i trajtoni partnerët tuaj trans-atlantikë në atë mënyrë".

Maskat, e prodhuara nga korporata amerikane 3M në fabrikën e saj në Shangaj të Kinës, u interceptuan në aeroportin Bangkok të Tajlandës dhe në vend të kësaj shkuan në SHBA.

Për ekspertin Edwards, planifikimi qendror është mënyra e gabuar për planifikim dhe reagim ndaj katastrofave.

"Këto veprime janë abuzive nga perspektiva e lirive civile dhe metoda të tilla të komandimit dhe kontrollit nuk kanë asnjë kuptim praktik", tha ai.

"Decentralizimi është thelbësor në reagimin ndaj katastrofave. Vjedhja e furnizimeve mjekësore nga Shtëpia e Bardhë dhe përpjekja e planifikimit qendror gjatë krizës së COVID-19 janë rrugët e gabuara për ecur para", tha Edwards në një postim tjetër në Twitter.

Më shumë se 96.700 njerëz kanë vdekur nga COVID-19 në të gjithë botën dhe mbi 1.6 milionë raste të infeksionit të koronavirusit janë konfirmuar në mbarë botën, tregojnë të dhënat nga Universiteti amerikan "Johns Hopkins". Më shumë se 360 mijë persona janë shëruar deri më tani.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın