Bota

SHBA thotë se 20 shtete premtojnë dërgesa të reja të armëve për Ukrainën

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se pakot e reja përfshijnë municione artilerie "të nevojës kritike", sisteme të mbrojtjes bregdetare, tanke dhe automjete të tjera të blinduara

Michael Gabriel Hernandez   | 23.05.2022
SHBA thotë se 20 shtete premtojnë dërgesa të reja të armëve për Ukrainën

Washington

SHBA ka bërë të ditur se afërsisht 20 vende janë zotuar t'i ofrojnë Ukrainës dërgesa të reja armësh për ta ndihmuar atë të mbrohet kundër sulmit të Rusisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u tha gazetarëve në Pentagon se pakot e reja përfshijnë municione artilerie "të nevojës kritike", sisteme të mbrojtjes bregdetare, tanke dhe automjete të tjera të blinduara.

Shtetet e tjera janë zotuar të trajnojnë trupat ukrainase dhe të ndihmojnë Kievin të mirëmbajë armatimet ekzistuese.

Austin theksoi në mënyrë eksplicite Danimarkën dhe Republikën Çeke. Danimarka njoftoi më herët gjatë ditës vendimin e saj për të furnizuar Ukrainën me raketa Harpoon kundër anijeve, si dhe raketa shoqëruese.

Sa i përket Republikës Çeke, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Austin tha se po ofron "mbështetje të konsiderueshme", duke përfshirë helikopterë sulmues, tanke dhe sistemet raketore.

Ai gjithashtu tha se Italia, Greqia, Norvegjia dhe Polonia do t'i ofrojnë Ukrainës sisteme artilerie dhe municione.

Përveç sigurimit të pajisjeve ushtarake dhe trajnimeve në vlerë prej miliarda dollarësh për Kievin, SHBA ka koordinuar rrjedhën ndërkombëtare të armëve mes aleatëve dhe mbështetjen për Ukrainën.

Si pjesë e kësaj përpjekjeje është edhe një forum i dytë ndërkombëtar për Ukrainën, i njohur zyrtarisht si Takimi i Grupit të Kontaktit të Ukrainës, i fokusuar në vendosjen e dërgesave të ardhshme të armëve në Kiev. Në këtë forum u përfshinë mbi 40 shtete.

Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 3.930 civilë janë vrarë dhe 4.532 janë plagosur që kur Rusia filloi luftën e saj më 24 shkurt. Numri i vërtetë besohet të jetë dukshëm më i lartë.

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, pothuajse 6,5 milionë njerëz kanë ikur në vende të tjera, ndërsa mbi 7,7 milionë njerëz janë zhvendosur brenda vendit.

Përveç ndihmës direkte ndaj Ukrainës, SHBA ka rritur gjithashtu praninë e trupave të saj në Evropë si përgjigje ndaj luftës së Rusisë. Sipas Shefit të Shtatmadhorisë, Mark Milley, SHBA tani ka rreth 102.000 trupa të vendosur në Evropë, një rritje prej 30 për qind nga 78.000 që ishin të pranishëm para luftës.

I pyetur në lidhje me komentet e presidentit amerikan Joe Biden se SHBA do të ndërhynte ushtarakisht nëse Kina do të sulmonte Tajvanin, një devijim i madh nga komentet e së kaluarës në të cilat SHBA është përmbajtur nga një deklaratë kaq e qartë e angazhimit ushtarak ndaj mbrojtjes së Tajvanit, Austin tha se politika e Washington-it nuk ka ndryshuar.

"Siç tha presidenti, politika jonë Një Kinë nuk ka ndryshuar", tha Austin, duke shtuar: "Ai gjithashtu theksoi angazhimin tonë sipas Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin, për të ndihmuar Tajvanin në sigurimin e mjeteve për të mbrojtur veten. Pra, përsëri, politika jonë nuk ka ndryshuar".

Akti i Marrëdhënieve me Tajvanin angazhon SHBA-në që të furnizojë Taipein me burimet që i nevojiten për t'u mbrojtur kundër një sulmi të mundshëm, por nuk e angazhon në mënyrë eksplicite SHBA-në që të ndërhyjë ushtarakisht nëse Tajvani pushtohet nga Kina.

I pyetur nëse ai do të mbështeste dërgimin e forcave amerikane për të mbrojtur Tajvanin kundër një pushtimi kinez, Milley tha: "Unë do t'i jap këshillat e mia në këtë moment presidentit dhe sekretarit të mbrojtjes".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın