Bota

SHBA punon që të arrijë "qetësi" pas sulmeve ajrore izraelite në Gaza

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së u bëri thirrje të gjitha palëve "të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm" dhe tha se SHBA mbetet "e palëkundur në angazhimin tonë ndaj sigurisë së Izraelit"

Michael Gabriel Hernandez   | 06.08.2022
SHBA punon që të arrijë "qetësi" pas sulmeve ajrore izraelite në Gaza

Washington

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, tha se vendi i tij po punon me Izraelin, Palestinën dhe partnerët rajonalë për të rivendosur "qetësinë" pas sulmeve ajrore izraelite në Rripin e rrethuar Gazës, ku u vranë 10 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kirby u bëri thirrje të gjitha palëve "të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm" dhe tha se administrata e presidentit amerikan Biden mbetet "e palëkundur në angazhimin tonë ndaj sigurisë së Izraelit".

"Ne do të vazhdojmë të punojmë për të forcuar të gjitha aspektet e partneritetit SHBA-Izrael. Ne mbështesim plotësisht të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur kundër grupeve terroriste që kanë marrë jetën e civilëve të pafajshëm", u tha ai gazetarëve në një video- konferencë.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se sulmet ajrore izraelite rezultuan në 10 të vdekur, duke përfshirë një vajzë 5-vjeçare, ndërsa u plagosën 44 palestinezë të tjerë.

Lëvizja "Xhihadi Islamik" tha në një deklaratë për media se Taysir al-Jabari, komandanti i saj për rajonin verior të Gazës, është gjithashtu në mesin e të vrarëve në sulmet ajrore.

Ushtria izraelite konfirmoi gjithashtu në një deklaratë se kishte shënjestruar Taysir al-Jabarin dhe 10 aktivistë, duke pretenduar se ata kishin synim të lëshojnë raketa kundër-tank dhe të realizojnë operacione me snajper.

Sipas ekipit të AA-së në Gaza, avionët luftarakë izraelitë goditën zona të ndara në qytetin e Gazës, Khan Yunis, si dhe në pjesën veriore të Rripit të Gazës. Ndër objektivat që ushtria sulmoi ishte një apartament në lagjen Rimal.

Autoriteti Palestinez i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që t'i bëjë presion Izraelit për të ndaluar agresionin kundër palestinezëve kudo, veçanërisht në Gaza, dhe t'u sigurojë atyre mbrojtje ndërkombëtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın