Politikë, Bota

SHBA njeh "shqetësimet legjitime" të Türkiye-s në lidhje me synimet e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO

"SHBA së bashku me Türkiye-n ndajnë dëshirën për t'i dhënë fund mbështetjes së terrorizmit, dhe ne të gjithë e marrim këtë shumë seriozisht”, theksoi zyrtarja e lartë amerikane, Karen Donfried

Servet Günerigök  | 23.06.2022 - Përdıtësım : 23.06.2022
SHBA njeh "shqetësimet legjitime" të Türkiye-s në lidhje me synimet e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO

Washington DC

Zyrtarja e lartë amerikane Karen Donfried tha se SHBA njeh shqetësimet legjitime të Türkiye-s (Turqisë) lidhur me synimet e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO dhe shpreson për një "rezolucion pozitiv" së shpejti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një seancë dëgjimore të Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, ku u diskutua synimi i dy vendeve nordike për anëtarësim në NATO, ndihmës sekretarja e shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, Karen Donfried, tha se anëtarësimi i këtyre dy vendeve do të forconte aleancën e NATO-s.

"Dy vendet do të rrisin ndërgjegjësimin e situatës dhe aftësitë e NATO-s në veriun e lartë", tha ajo, duke shtuar se ato do të rrisin gjithashtu interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Në fjalët e saj, Donfried kujtoi se Ankaraja ngriti shqetësime rreth disa prej politikave të Finlandës dhe Suedisë përpara pranimit të tyre.

"Ne i njohim shqetësimet legjitime të Türkiye-s në lidhje me terrorizmin, të cilat i ka theksuar gjithashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg", tha ajo.

Türkiye, Finlanda dhe Suedia janë aktualisht në bisedime për të adresuar shqetësimet, të cilat përfshijnë aktivitetet e grupit terrorist PKK në të dy vendet.

"Vendimi brenda NATO-s është një vendim konsensusi. Dhe Türkiye ka ngritur disa shqetësime në lidhje me terrorizmin dhe qasjen e Suedisë dhe Finlandës. Sigurisht, SHBA së bashku me Türkiye-n ndajnë dëshirën për t'i dhënë fund mbështetjes së terrorizmit, dhe ne të gjithë e marrim këtë shumë seriozisht", theksoi Donfried.

Bisedimet e fundit u zhvilluan të hënën, të cilat ajo i quajti "konstruktive".

"Kështu që ne kemi besim se do të ketë përparim këtu. Dhe kjo do të lejojë që protokollet e pranimit të nënshkruhen dhe procesi i ratifikimit këtu të ecë përpara", shtoi ajo.

Suedia dhe Finlanda, në kohën kur kanë aplikuar për anëtarësim në NATO, përballen me kërkesën e Türkiye-s për t'i dhënë fund mbështetjes së tyre për grupin terrorist PKK/YPG. Ankaraja zyrtare thotë se NATO është një aleancë sigurie dhe se çdo anëtar i mundshëm duhet të marrë një qëndrim të qartë kundër terrorizmit.

Në fjalën e tij hapëse, kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë, senatori demokrat Bob Menendez, pohoi se Türkiye kishte "të ashtuquajturat" shqetësime, për të cilat ai tha se i shërbejnë interesave të presidentit rus Vladimir Putin.

Duke folur pas Menendez-it, senatori republikan Jim Risch, një anëtar i lartë i komitetit, deklaroi se "u është thanë dhe janë siguruat nga Suedia dhe Finlanda se ata kanë qenë të përfshirë me Türkiye-n në mirëbesim në diskutimet për zgjidhjen e kësaj".

Risch tha se është më mirë të lihet çështja midis Finlandës, Suedisë dhe Türkiye-s.

Menendez pranon lidhjet mes PKK-së dhe SDF-së

Në fjalën e tij përmbyllëse, Menendez tha se Finlanda dhe Suedia janë në linjë me politikat e SHBA-së për sa i përket PKK-së dhe SDF-së, e cila përbëhet kryesisht nga anëtarë të PKK-së, në luftën kundër DEASH-it.

"Pra, është pak e pandershme të sugjerojmë që ne t'u bëjmë thirrje të gjitha palëve të punojnë së bashku. Do të ishte mirë që të gjithë të punojnë së bashku dhe të arrijnë në një përfundim. Nuk e di se çfarë po përpiqet të nxjerrë Türkiye prej tyre", shtoi ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.