Bota

SHBA mbështet Filipinet dhe Vietnamin lidhur me stërvitjen detare të Kinës

Washingtoni kundërshton pretendimet "e paligjshme" të Pekinit në ujërat e diskutueshme të Detit të Kinës së Jugut, ka thënë diplomati i lartë amerikan

Beyza Binnur Dönmez  | 04.07.2020 - Përdıtësım : 05.07.2020
SHBA mbështet Filipinet dhe Vietnamin lidhur me stërvitjen detare të Kinës

Ankara

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo shprehu mbështetje për Filipinet dhe Vietnamin të premten lidhur me stërvitjet ushtarake "shumë provokuese" të Kinës në Detin e Kinës së Jugut, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Amerika pajtohet me miqtë tanë të Azisë Juglindore: Stërvitja ushtarake e PRC (Republika Popullore e Kinës) në ujërat e diskutueshme të Detit të Kinës së Jugut është shumë provokuese", u shpreh Pompeo në Twitter.

"Ne jemi kundër pretendimeve të paligjshme të Pekinit", theksoi ai.

Në një postim në vijim në Twitter, ai tha se "në Detin e Kinës së Jugut dhe gjetkë, të gjitha kombet duhet të mbështesin një rend të lirë dhe të hapur të bazuar në rregulla, që mbështet të drejtat sovrane të të gjitha shteteve, pavarësisht nga madhësia, fuqia dhe aftësitë ushtarake".

Postimet e tij në Twitter iu bashkëngjitën deklaratave dënuese të bëra nga Sekretari i Kabinetit i Filipineve Teddy Locsin dhe Departamenti i Shtypit i Ministrisë së Jashtme të Vietnamit.

Vietnami ka thënë se aktivitetet kineze të shpimit midis 1 dhe 5 qershorit "janë shkelje të sovranitetit të saj mbi ishullin Paracel dhe kjo ndërlikon mirëqenien e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon".

Nga ana e tij, Locsin paralajmëroi Kinën se nëse stërvitjet shtrihen mbi territorin e Filipineve, atëherë ato do të hasin në një përgjigje "serioze".

Rëndësia e Detit të Kinës së Jugut

Pretendimet për sovranitetin territorial mbi ishujt dhe formacionet më të vogla në Detin e Kinës së Jugut kanë qenë një burim i gjatë tensioni dhe mosbesimi në rajon.

Deti, si një kanal thelbësor për një pjesë të konsiderueshme të transportit tregtar në botë, kufizohet nga Brunei, Kamboxhia, Kina, Indonezia, Malajzia, Filipinet, Singapori, Tajvani, Tajlanda dhe Vietnami.

Lundrime tregtare në vlerë prej rreth 5,3 trilionë dollarë qarkullojnë në Detin e Kinës së Jugut çdo vit, ku 1,2 trilion dollarë të kësaj sasie totale është për tregtinë me SHBA-në, thuhet në një raport të vitit 2017 nga një think-tank në Washington.

Kina pretendon pothuajse gjithë Detin e Kinës së Jugut me sipërfaqe 3,5 milionë kilometra katrorë, konktretisht 90 për qind, dhe akuzon SHBA-në dhe aktorë të tjerë rajonalë për shkelje të integritetit të saj territorial.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.