Bota

SHBA, kandidati presidencial i Demokratëve i shqetësuar për "puçin" në Bolivi

Bernie Sanders, i cili ka një histori të gjatë të kundërshtimit të ndërhyrjeve ushtarake dhe grushteve të shtetit në të gjithë botën, i bëri thirrje SHBA-së të mbështesë institucionet demokratike të Bolivisë

Vakkas Doğantekin  | 12.11.2019 - Përdıtësım : 13.11.2019
SHBA, kandidati presidencial i Demokratëve i shqetësuar për "puçin" në Bolivi

Ankara

Bernie Sanders, pretendent nga Partia Demokratike në garën për president në SHBA vitin e ardhshëm, tha se është shumë i shqetësuar për "puçin" në Bolivi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sanders, i cili ka një histori të gjatë të kundërshtimit të ndërhyrjeve ushtarake dhe grushteve të shtetit në të gjithë botën, të hënën i bëri thirrje SHBA-së të mbështesë institucionet demokratike të Bolivisë.

"Jam shumë i shqetësuar për atë që duket se është një grusht shteti në Bolivi, ku ushtria, pas disa javësh trazirash politike, ndërhyri për të hequr presidentin Evo Morales. SHBA duhet të bëjnë thirrje për t'i dhënë fund dhunës dhe të mbështesë institucionet demokratike të Bolivisë", tha Sanders në Twitter.

Deri më tani, ai ka qenë i vetmi kandidat presidencial Demokrat që ka shprehur shqetësim për largimin e detyruar të një presidenti të zgjedhur në Amerikën Latine.

Nëse zgjidhet në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, senatori 78-vjeçar nga shteti Vermont do të jetë presidenti më i vjetër në SHBA.

Të hënën, Meksika i ofroi azil ish-presidentit bolivian Evo Morales, i cili dha dorëheqje pas kërkesës së shefit të ushtrisë së Bolivisë gjatë fundjavës si rezultat i protestave që nisën me pretendime për parregullsi në zgjedhjet presidenciale të muajit të kaluar.

Departamenti amerikan i Shtetit dhe administrata Trump kanë mirëpritur largimin e Morales dhe thanë se "largimi i tij ruan demokracinë dhe i hap rrugën popullit bolivian për të pasur të drejtë fjale".

Kongresistja muslimane Ilhan Omar gjithashtu i quajti ngjarjet në Bolivi si një "grusht shteti", duke u bërë thirrje ligjvënësve amerikanë ta "kundërshtojnë pa mëdyshje dhunën politike në Bolivi".

"Ekziston një fjalë kur presidenti i një vendi largohet nga ushtria. Kjo quhet grusht shteti. Bolivianët meritojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme", ka shkruar Omar në Twitter.

Mike Gravel, ish-senator amerikan, e ka kritikuar në mënyrë sarkastike CIA-n për "puçin" në Bolivi, duke aluduar në një përfshirje të SHBA-së në rrëzimin e presidentit të zgjedhur.

"Urime që fituat pushtet në Bolivi, CIA!", shkroi ai në Twitter.

Në zgjedhjet presidenciale më 20 tetor, Morales, presidenti i parë indigjen i Bolivisë, fitoi me 47,8 për qind të votave, duke siguruar fitoren në raundin e parë. Megjithatë, pasi opozita pretendoi se janë kryer mashtrime, disa parti u kërkuan mbështetësve të dilnin në rrugë.

Pasi opozita bëri thirrje për anulimin e votimit, Morales njoftoi se do të ketë zgjedhje të reja, por mbështetësit e opozitës thanë se do të vazhdojnë protestat derisa të mbahen zgjedhjet pa të.

Të dielën, në një fjalim televiziv, shefi i ushtrisë boliviane Williams Kaliman i bëri thirrje Morales-it qëtë tërhiqet.

Morales, president që nga viti 2006, tha se ndaj tij është kryer "grusht shteti" dhe dha dorëheqjen për të parandaluar liderin e opozitës Luis Fernando Camacho dhe Carlos Mesa-n, ish-president, "të udhëzonin mbështetësit e tyre për të sulmuar bolivianët".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.