SHBA-ja: Presidenti venezuelian Maduro të japë dorëheqje në këmbim të kalimit të sigurt
Washingtoni këmbënguli që Maduro dhe aleatët kryesorë, përfshirë gruan e tij, Cilia Flores dhe djalin, të largoheshin menjëherë nga vendi për të hapur rrugën për qeverisje demokratike
Ankara
Përderisa administrata e Donald Trumpit përgatitet për operacione të mundshme tokësore brenda Venezuelës, një telefonatë midis Shtëpisë së Bardhë dhe Karakasit i dha ultimatum të ashpër presidentit Nicolas Maduro, dorëheqje të menjëhershme në këmbim të kalimit të sigurt, sipas një raporti mediatik, transmeton Anadolu.
E përditshmja "Miami Herald" raporton se në telefonatën e javës së kaluar, Washingtoni këmbënguli që Maduro dhe aleatët kryesorë, përfshirë gruan e tij, Cilia Flores dhe djalin, të largoheshin menjëherë nga vendi për të hapur rrugën për qeverisje demokratike.
Një burim i tha të përditshmes se Maduro kërkoi "amnisti globale për çdo krim që ai dhe grupi i tij kishin kryer, dhe kjo u refuzua".
"Së dyti, ata kërkuan të mbanin kontrollin e forcave të armatosura, ngjashëm me atë që ndodhi në Nikaragua në vitin 1991 me Violeta Chamorro-n. Në këmbim, ata do të lejonin zgjedhje të lira", shtoi burimi.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump konfirmoi të dielën se pati një telefonatë me presidentin e Venezuelës Nicolas Maduro, por nuk pranoi të jepte detaje rreth bisedës.
Konfirmimi erdhi mes tensioneve në rritje midis Washingtonit dhe Karakasit, me Trumpin që kohët e fundit ka deklaruar se hapësira ajrore e Venezuelës do të "mbyllet plotësisht". Venezuela e kritikoi deklaratën dhe kërkoi "respekt të pakushtëzuar" për hapësirën e saj ajrore.
Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar tashmë qëllimin e tij për ta shpallur Cartel de los Soles me seli në Venezuelë si organizatë të huaj terroriste (FTO), duke hyrë në fuqi më 24 nëntor 2025.
Sipas Departamentit, "karteli drejtohet nga Nicolas Maduro dhe individë të tjerë të rangut të lartë të regjimit të paligjshëm të Maduros".
