Bota

SHBA-ja kritikon Rusinë për moszbatimin e marrëveshjeve të Minskut

“Jemi thellësisht të shqetësuar lidhur me provat që Rusia ka bërë plane për agresion të mëtejshëm të konsiderueshëm kundër Ukrainës”, ka thënë sekretari amerikan, Blinken

Seda Sevencan   | 03.12.2021
SHBA-ja kritikon Rusinë për moszbatimin e marrëveshjeve të Minskut

Stamboll

SHBA-ja paralajmëroi Rusinë të enjten për çfarëdo agresioni të ri ushtarak kundër Ukrainës dhe i kërkoi Moskës të përmbushë angazhimet e saj që dalin nga Marrëveshja e Minskut, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Jemi thellësisht të shqetësuar lidhur me provat që Rusia ka bërë plane për agresion të mëtejshëm të konsiderueshëm kundër Ukrainës", tha Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken në takimin e 28-të të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) në Stokholm të Suedisë.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, të përshkallëzojë situatën, të kthejë grumbullimin e fundit të trupave, të kthejë forcat në pozicionet normale paqësore dhe të zbatojë angazhimet e Minskut, veçanërisht dispozitat e armëpushimit dhe të lejojë monitoruesit e OSBE-së të kenë qasje të papenguar", theksoi Blinken.

Ai tha se “Rusia për fat të keq vazhdon të shkelë Parimet e Helsinkit dhe në mënyrë të përsëritur pengon punën e kësaj organizate. Ajo është përgjegjëse për rreziqet me të cilat përballet çdo ditë Misioni Special i Monitorimit të OSBE-së në Ukrainë. Marrja me forcë e Krimesë ka sjellë abuzime të pamëshirshme kundër tatarëve të Krimesë, ukrainasve etnikë dhe të tjerëve që kundërshtojnë në mënyrë paqësore pushtimin e tyre".

Duke nënvizuar se diplomacia është mënyra e vetme përgjegjëse për zgjidhjen e kësaj krize, Blinken vuri në dukje se ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov flet për zbatimin e marrëveshjeve të Minskut.

“Por, le ta bazojmë këtë edhe në fakte. Ka një sërë angazhimesh që të dyja palët kanë marrë në Minsk, gjithashtu edhe me përfshirjen e OSBE-së. Rusia nuk ka zbatuar armëpushimin, Rusia nuk ka zbatuar tërheqjen e të gjitha armëve të rënda, Rusia nuk ka zbatuar lejimin e monitorimit të OSBE-së. Mund të vazhdoj ende”, theksoi Blinken.

“Nëse miqtë tanë rusë janë të përgatitur të zbatojnë angazhimet e tyre të Minskut dhe po ashtu dhe miqtë tanë ukrainas, ne do ta mbështesim plotësisht këtë dhe kjo është mënyra më e mirë për të shmangur një krizë të re në Ukrainë”, shtoi sekretari amerikan.

Blinken i bëri thirrje edhe Bjellorusisë që të ndërpresë shtypjen e dhunshme dhe të lirojë të gjithë të burgosurit politikë dhe të dëgjojë kërkesat e popullit për zgjedhje të lira dhe të ndershme me një vëzhgim të pavarur si dhe të ndalojë të përdorë armën mizore të migracionit.

"Përveç kësaj, ne kemi vërejtur një shkelje të angazhimeve të kontrollit të armëve konvencionale në Evropë", tha ai.

Blinken potencoi se Rusia mban forcat në Gjeorgji dhe autoritetet "de fakto" në Abkhazi dhe Osetinë e Jugut, si dhe trupat ruse mbeten të ngulitura në Moldavi pa pëlqimin e Moldavisë.

"Ndërsa brenda vendit, Rusia ka goditur organizatat e shoqërisë civile, ku rasti i fundit janë degët kryesore të një grupi shumë të respektuar të të drejtave të njeriut, Memorial, si dhe mediat e pavarura", tha sekretari amerikan.

Ndërkohë, ai tha se në Kaukaz, SHBA-ja mirëpret rifillimin e dialogut të drejtpërdrejt midis Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe u bëri thirrje atyre të bëjnë përparim në çështjet humanitare.

Blinken shtoi se "ne të gjithë ndajmë një interes që të sigurohemi që Afganistani të mos përdoret më kurrë si bazë për të planifikuar sulme terroriste kundër vendeve dhe njerëzve tanë".

"Bashkëpunimi i zgjeruar i sigurisë kufitare me partnerët tanë të Azisë Qendrore do të jetë jetik. Ne do të vazhdojmë të mbështesim angazhimin e OSBE-së nëpërmjet pranisë së saj në terren në Azinë Qendrore dhe programeve të saj mbi kundër-terrorizmin, demokratizimin dhe të drejtat e njeriut, kontrollin dhe menaxhimin e kufijve", tha ai.

- Marrëveshjet e Minskut

Marrëveshjet e Minskut u nënshkruan për të ndaluar konfliktin e vazhdueshëm midis separatistëve pro-rusë dhe qeverisë së Kievit.

Marrëveshjet përfshinin një armëpushim në rajon dhe shkëmbimin e të burgosurve, duke lejuar Kievin të miratonte një amendament kushtetues që do t'i jepte Donbasit një status të veçantë.

Forcat separatiste pro-ruse, nga ana tjetër, supozohej të tërhiqeshin nga kufiri ukraino-rus.

Megjithatë, zbatimi i marrëveshjeve është penguar pasi të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.