Bota

SHBA-ja i ofron Belgjikës mbështetje për të luftuar kërcënimin nga dronët

"Jemi duke vlerësuar me zyrtarët amerikanë mënyrën, vendin dhe përmasën në të cilën kjo ndihmë mund të dislokohet në mënyrën më efektive", tha ministri belg i Mbrojtjes, Francken

Selen Valente Rasquinho  | 14.11.2025 - Përdıtësım : 14.11.2025
SHBA-ja i ofron Belgjikës mbështetje për të luftuar kërcënimin nga dronët

Bruksel

SHBA-ja i ka ofruar ndihmë Belgjikës në luftimin e rritjes së fundit të aktivitetit të dronëve në vend, transmeton Anadolu.

Sipas gazetës "Le Soir", pas Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe, edhe SHBA-ja i ka bërë një ofertë mbështetjeje Belgjikës. Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken tha në një fjalim në Dhomën e Përfaqësuesve se po zhvillohet një "masë e koordinuar sigurie me vendet aleate" kundër fluturimeve të paautorizuara të dronëve të vërejtura në zonat kritike të vendit.

Ai thekson se Belgjika ka kërkuar ekipe speciale antidron nga vendet fqinje, duke shtuar: "Gjermania, Britania dhe Franca kanë dhënë përgjigje pozitive dhe janë aktualisht të dislokuara në territorin belg me pajisjet e tyre speciale".

Ministri i Mbrojtjes thotë se këto njësi po ofrojnë mbështetje aktive në pajisje teknike, sisteme zbulimi dhe në sigurinë e hapësirës ajrore. Francken shtoi se edhe SHBA-ja i ka ofruar ndihmë Belgjikës. "Jemi duke vlerësuar me zyrtarët amerikanë mënyrën, vendin dhe përmasën në të cilën kjo ndihmë mund të dislokohet në mënyrën më efektive", tha ai.


– Aktiviteti i dronëve në Belgjikë

Pas Polonisë, Rumanisë, Estonisë dhe Danimarkës, edhe Belgjika – e cila është vend pritës i institucioneve të BE-së dhe NATO-s po përballet me çështjen e dronëve.

Më 3 tetor ishte zbuluar aktivitet droni mbi kampin ushtarak të trajnimit "Elsenborn" dhe Ministria e Mbrojtjes kishte nisur hetimet. Më 25 tetor u raportua se të paktën katër dronë u identifikuan mbi bazën ushtarake mbretërore "Albert" në Marche-en-Famenne në rajonin e Valonisë.

Gjatë natës së 1 nëntorit u identifikua aktivitet i tre dronëve në bazën ajrore "Kleine Brogel", e cila përdoret për operacione kombëtare dhe të NATO-s. Më 2 nëntor, në të njëjtën bazë u vërejtën katër dronë të tjerë. Këtë javë, në aeroportin e Liezhës janë parë dy herë dronë, duke shkaktuar pezullim të fluturimeve për arsye sigurie.

Në aeroportin e Brukselit dronë u panë në mbrëmjet e 4 dhe 6 nëntorit, duke shkaktuar ndërprerje të trafikut ajror. Më 10 nëntor u raportua aktivitet dronësh edhe mbi termocentralin bërthamor "Doel" dhe në Aeroportin e Liezhit.

Këshilli Kombëtar i Sigurisë i Belgjikës, i cili u mblodh më 6 nëntor për këtë çështje, vendosi që dronët e dyshimtë mund të neutralizohen nëse është e nevojshme me ndërhyrje policore ose ushtarake. Këshilli njoftoi se Qendra Kombëtare e Sigurisë së Hapësirës Ajrore (NASC) do të vihet plotësisht në funksion deri më 1 janar 2026 për të luftuar këtë kërcënim.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın