SHBA i kërkon qeverisë irakiane t’u japë fund sulmeve ndaj protestuesve
David Schenker denoncoi "sulmet e vazhdueshme kundër demonstruesve paqësorë që ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike për lirinë e shprehjes përfshirë kërkesat e tyre për reforma politike dhe ekonomike"
Bagdad
SHBA i ka bërë thirrje qeverisë së Irakut që t'i japë fund sulmeve kundër protestuesve paqësorë në Irak, në mesin e demonstratave të vazhdueshme kundër kushteve të dobëta të jetesës në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, Ambasada e SHBA-ve në Bagdad tha se ndihmësi sekretari i Shtetit për Çështjet e Lindjes, David Schenker, të martën zhvilloi bisedime me kryeministrin e caktuar irakian Mohammed Allawi, presidentin Barham Salih dhe kryetarin e parlamentit Muhamed al-Halbousi.
Schenker "theksoi rëndësinë e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Irakut dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm për të mbështetur një Irak të prosperuar, të qëndrueshëm dhe demokratik", thuhet në deklaratë.
Ai denoncoi "sulmet e vazhdueshme kundër demonstruesve paqësorë që ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike për lirinë e shprehjes përfshirë kërkesat e tyre për reforma politike dhe ekonomike".
Sidoqoftë, diplomati amerikan nënvizoi "partneritetin e fortë amerikan me forcat e sigurisë të Irakut që mbrojnë dhe forcojnë sovranitetin e Irakut dhe ndihmojnë në arritjen e qëllimit të përbashkët për të mposhtur organizatat ekstremiste terroriste si DEASH".
Nuk ka ndonjë prononcim të menjëhershëm nga autoritetet irakiane për deklaratën e ambasadës.
Iraku është përfshirë nga protestat masive që nga tetori kundër kushteve të dobëta të jetesës dhe papunësisë së lartë, duke detyruar kryeministrin Adel Abdul-Mahdi të japë dorëheqjen.
Sipas një grupi irakian për të drejtat e njeriut, mbi 600 persona kanë humbur jetën dhe 17,000 të tjerë janë plagosur që prej shpërthimit të protestave në tetor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.