Bota

"SHBA i jep Izraelit raketa 'të ndjeshme' që të vrasë më shumë fëmijë"

"SHBA-ja pengon edhe deklaratën më të lehtë të mundshme të KS-OKB-së. Bota shikon teksa Izraeli dhe mbështetësi i saj tregojnë fytyrat e tyre të shëmtuara", tha ministri i Jashtëm iranian, Zarif

Ahmet Dursun  | 18.05.2021 - Përdıtësım : 18.05.2021
"SHBA i jep Izraelit raketa 'të ndjeshme' që të vrasë më shumë fëmijë"

Ankara

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif reagoi ndaj SHBA-së e cila miratoi shitjen e municioneve me udhëzues të ndjeshëm me vlerë 735 milionë dollarë ndaj Izraelit që vazhdon sulmet e rënda ndaj Gazës nën bllokadë dhe e cila ka penguar përpjekjet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ndalimin e sulmeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një postim nga llogaria e tij në Twitter, Zarif tha se "Derisa municionet e prodhimit amerikan bien mbi palestinezët, SHBA-ja i jep Izraelit edhe raketa të tjera 'të ndjeshme' në mënyrë që të vrasë më shumë fëmijë me 'ndjeshmëri' (precizitet ) më të madh".

Ai vuri në dukje edhe pengesën e SHBA-së për deklaratën e përbashkët që KS-OKB-ja planifikoi të bëjë lidhur me sulmet e Izraelit në Palestinë. "SHBA-ja pengon edhe deklaratën më të lehtë të mundshme të KS-OKB-së. Bota shikon teksa Izraeli dhe mbështetësi i saj tregojnë fytyrat e tyre të shëmtuara", tha Zarif.

Tensionet që filluan me dhunën izraelite ndaj palestinezëve që po kryenin adhurimet e tyre në Xhaminë Al-Aksa, vazhdon prej më se një jave me sulmet ajrore kundër Gazës.

Në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë që nga 10 maji e deri më tani në Rripin e Gazës kanë humbur jetë 212 persona, përfshirë 61 fëmijë dhe 36 gra ndërsa janë plagosur 1.400 të tjerë. Po ashtu 20 persona e kanë humbur jetën në ndërhyrjen e forcave izraelite ndaj protestave në mbështetje të Gazës që zhvillohen prej 10 majit e deri më tani në Bregun Perëndimor.

Administrata e SHBA-së në njërën anë shpreh shqetësim nga konfliktet dhe në anën tjetër vazhdon të mbështesë Izraelin me arsyetimin e të "drejtës për vetëmbrojtje".

Pak kohë përpara sulmeve kundër Gazës, SHBA-ja kishte miratuar shitjen e municioneve me udhëzues të ndjeshëm me një vlerë prej 735 milionë dollarësh për Izraelin.

Gjithashtu nga SHBA-ja u penguan dy herë edhe deklaratat e përbashkëta që KS-OKB-ja planifikoi t'i bënte për shkak të ngjarjeve në Palestinë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.