Bota

SHBA hap mision të përkohshëm për Venezuelën në Kolumbi

Kjo zyrë do të bashkëveprojë me përfaqësues të afërt me liderin e opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, i cili e shpalli veten president të përkohshëm më 23 janar

Michael Hernandez   | 29.08.2019
SHBA hap mision të përkohshëm për Venezuelën në Kolumbi

Washington

Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Mike Pompeo, njoftoi për hapjen e një zyre të përkohshme diplomatike për Venezuelën me seli në Kolumbi, raporton Anadolu Agency (AA).

Ajo është e vendosur në ambasadën amerikane në Bogota dhe do të vazhdojë "misionin amerikan për qeverinë legjitime të Venezuelës dhe popullit të Venezuelës", tha Pompeo në një deklaratë.

Njësiti për çështjet e Venezuelës "do të vazhdojë të punojë për rivendosjen e demokracisë dhe rendit kushtetues në atë vend, dhe për sigurinë dhe mirëqenien e popullit të Venezuelës", shtoi diplomati i lartë.

Kjo zyrë do të bashkëveprojë me përfaqësues të afërt me liderin e opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, i cili e shpalli veten president të përkohshëm më 23 janar, duke shkaktuar përplasje me presidentin Venezuelës, Nicolas Maduro që vazhdon akoma.

Venezuela është goditur nga trazirat politike dhe shoqërore që nga 10 janari kur Maduro u betua për një mandat të dytë pas një votimi të bojkotuar nga opozita për shkak të një krize të rëndë ekonomike në vendin e Amerikës Latine.

Pompeo tha se misioni diplomatik do të jetë nën kompetencë të ushtruesit të detyrës James Story.

Administrata e Trumpit është fokusuar në masat ekonomike dhe diplomatike kundër Maduros, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve ndaj tij, zyrtarëve të tij më të lartë dhe disa departamenteve qeveritare pasi dëshiron të rrisë presionin që Maduro të tërhiqet nga posti.

Pas vendosjes së sanksioneve gjithëpërfshirëse ndaj kompanisë shtetërore të naftës në Venezuelë, PDVSA, presidenti amerikan Donald Trump lëshoi një urdhër ekzekutiv në fillim të këtij muaji për ngrirjen e të gjitha pasurive në SHBA që i përkasin Qeverisë së Venezuelës, që ishte një përshkallëzim i ndjeshëm i tensioneve me Karakasin.

Urdhri i Trumpit ndalon të gjitha transaksionet me zyrtarët e Venezuelës, por përjashton ndihmën humanitare për Venezuelën, duke përfshirë transaksionet që lidhen me sigurimin e ushqimit, veshjeve dhe ilaçeve.

Maduro ka akuzuar SHBA-të se kanë orkestruar grusht shteti kundër qeverisë së tij, duke thënë se është i hapur për bisedime me opozitën.

Rreth 5.000 persona braktisin Venezuelën çdo ditë për shkak të "jostabilitetit dhe paqartësisë" për shkak të krizës rreth presidentit dhe krizës ekonomike. Sipas të dhënave të Agjencisë për Refugjatë të OKB-së, Venezuelën që nga viti 2015 e kanë braktisur 3 milionë persona.

Rusia, Kina, Irani dhe Turqia mbështesin Maduron. Spanja, Britania e Madhe, Franca, Suedia, Gjermania dhe Danimarka i janë bashkuar SHBA-ve, Kanadasë dhe disa shteteve të Amerikës Latine dhe kanë njohur Guaidon si president të përkohshëm të Venezuelës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.