Bota

SHBA, bastiset shtëpia e këngëtarit Marilyn Manson lidhur me hetimet për abuzim të disa grave

Ish-e fejuara e këngëtarit 52-vjeçar, aktorja e "Westworld", Evan Rachel Wood, e quajti atë abuzues për herë të parë në një postim në Instagram në muajin shkurt

Ekip   | 30.11.2021
SHBA, bastiset shtëpia e këngëtarit Marilyn Manson lidhur me hetimet për abuzim të disa grave foto: AA/arkiv

Los Angeles

Policia ka bastisur dje shtëpinë e këngëtarit të rokut Marilyn Manson pas akuzave për abuzim fizik dhe seksual nga disa gra, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zv/sherifja e qarkut të Los Angeles-it, Eva Jimenez, tha se kishin pranuar urdhrin për bastisje në shtëpinë e Manson-it, emri ligjor i të cilit është Brian Hugh Warner, duke mos dhënë detaje tjera.

Departamenti i Sherifit në shkurt bëri të ditur se detektivët e tyre kishin filluar të hetonin Manson-in lidhur me raportet e dhunës në familje midis 2009 dhe 2011 në West Hollywood, ku jetonte në atë kohë.

Gratë e përfshira nuk u identifikuan, por disa gra kanë pretenduar publikisht këtë vit se janë viktima të abuzimit fizik, seksual dhe emocional nga Manson-i përafërsisht gjatë kohës së incidenteve nën hetim, ndërsa disa prej tyre kanë ngritur padi.

Avokati i Manson-it, Howard E. King, nuk bëri komente të menjëhershme. Manson-i ka mohuar akuzat, kurse King i ka quajtur ato "të rreme".

Bastisja e shtëpisë së Manson fillimisht u raportua nga një tabloid.

Ish-e fejuara e këngëtarit 52-vjeçar, aktorja e "Westworld", Evan Rachel Wood, e quajti atë abuzues për herë të parë në një postim në Instagram në muajin shkurt.

Manson i quajti deklaratat e Wood-it "shtrembërime të tmerrshme të realitetit".

Në maj, aktorja e "Game of Thrones", Esmé Bianco, paditi Marilyn Manson-in në gjykatën federale, duke pretenduar abuzim seksual, fizik dhe emocional. Bianco tha se Manson ka shkelur ligjin e trafikimit të qenieve njerëzore duke e sjellë në Kaliforni nga Anglia për role inekzistente në video muzikore dhe filma.

Sipas padisë, Manson e privoi Bianco-n nga ushqimi dhe gjumi, e mbylli në një dhomë gjumi, e mundoi, e goditi me elektro-shok dhe e kërcënoi se do të hynte në dhomën e saj dhe do ta përdhunonte gjatë natës.

Avokati i Bianco-s tha se ajo gjithashtu ishte intervistuar nga forcat e rendit.

Po ashtu edhe ish-asistentja e Manson-it, në një padi e akuzoi atë për sulm seksual, abuzim dhe ngacmim, duke thënë se ai përdori "pozitën e tij të pushtetit, figurën e famshme dhe lidhjet për ta shfrytëzuar dhe viktimizuar gjatë punësimit të saj".

Manson u shfaq si një yll muzikor në mesin e viteve 1990, i njohur si për nga polemikat publike ashtu edhe për këngët hit si "The Beautiful People" dhe albume të suksesshme si "Antichrist Superstar" të vitit 1996 dhe "Mechanical Animals" të vitit 1998.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın