Bota

SHBA, 7 të plagosur me armë zjarri në protestat për të drejtat e njerëzve me ngjyrë

Departmenti i Policisë i qytetit Louisville tha se të paktën një person është në gjendje kritike pas incidentit të mbrëmjes së djeshme

Beyza Binnur Dönmez  | 29.05.2020 - Përdıtësım : 30.05.2020
SHBA, 7 të plagosur me armë zjarri në protestat për të drejtat e njerëzve me ngjyrë

Ankara

Të paktën shtatë persona u plagosën me armë zjarri në qytetin Louisville të shtetit amerikan Kentucky gjatë protestave për të kërkuar drejtësi për vdekjen e Breonna Taylor, një gruaje me ngjyrë që u vra në bastisjet policore në muajin mars, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mbrëmë qindra persona dolën në rrugët e qytetit Louisville për të kërkuar dënimin e oficerëve të policisë, të përfshirë në vrasjen e 13 marsit të 26-vjeçares Taylor. 

Në një deklaratë për CBS News, Departmenti i Policisë i qytetit Louisville tha se të paktën një person është në gjendje kritike pas incidentit të mbrëmjes së djeshme.

Departmenti po ashtu tha se ka pasur disa arrestime.

Taylor, punonjëse e urgjentës mjekësore, u qëllua dhe u vra nga policia gjatë një aksioni pa paralajmërim me dyshimin për drogë që ndodhi përderisa ajo ishte në gjumë.

Kërkesat e protestuesve në Kentucky janë të ngjashme me ato në Minneapolis, të gjithë kërkojnë drejtësi për vrasje brutale të qytarëve me ngjyrë të paarmatosur nga policia amerikane.

Të hënën gjatë një arresti nga policia u vra George Floyd, një burrë me ngjyrë i paarmatosur, gjë që nxiti zemërim në mbarë vendin, duke shkaktuar protesta të ngjashme jashtë Minneapolis.

Video e arrestimit të Floyd, e kapur nga një kalimtar dhe e postuar në Facebook, tregonte se viktima e mbështetur në tokë në vazhdimësi po përsëriste fjalët "Nuk mund të marr frymë" për pothuajse katër minuta, pasi një oficer me gjurin e tij i mbante qafën në tokë. Në pamjet në videon e publikuar, Floyd ishte në pranga, ndërkohë edhe pse ai humbi vetëdijen, oficeri qëndronte pa lëvizur sipër viktimës.

Pulsi i tij u kontrollua rreth tre minuta pasi ai ndaloi të gulçonte përderisa oficeri vazhdonte të mbajë gjurin e tij mbi qafën e viktimës, por nga videoja nuk është e qartë vlerësimi në atë pikë. Ai më pas u vendos në një barelë dhe u zhvendos në një ambulancë.

Ai nuk erdhi në vetëdije dhe ndërroi jetë menjëherë pasi u dërgua në një spital.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.