Rania R.a. Abushamala
24 korrik 2026•Përditësim: 24 korrik 2026
Senatori demokrat amerikan John Fetterman kritikoi kryetarin e bashkisë së New Yorkut, Zohran Mamdani, për deklaratat e tij se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mund të arrestohet në bazë të një urdhërarresti të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), nëse viziton qytetin, raporton Anadolu.
Sipas gazetës "The Hill" të mërkurën, Fetterman e quajti Mamdanin "klloun" gjatë një interviste për "Fox News", duke argumentuar se kryetari i bashkisë nuk ka autoritet të urdhërojë arrestimin e Netanyahut.
"Ti je kryetar bashkie. Mund të rregullosh një gropë në rrugë. Mund të organizosh pastrimin e mbeturinave. Por nuk mund të urdhërosh askënd të arrestojë dikë, po aq sa mund ta bëja unë, ose, e dini, të kërkoja arrestimin e tij nëse do të shkonte në Pensilvani", tha Fetterman duke shtuar: "Kjo është shaka dhe ai është klloun".
Fetterman e akuzoi Mamdanin se po u bën qejfin "elementëve ekstremë", duke shtuar se kjo çështje nuk hyn në juridiksionin e kryetarit të bashkisë.
Sipas mediave amerikane, Netanyahu pritet të udhëtojë në New York në shtator për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Të mërkurën, Mamdani i bëri thirrje qeverisë federale amerikane t'i bashkohet GJNP-së dhe ta arrestojë Netanyahun.
"Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka mundësinë si t'i bashkohet Gjykatës Ndërkombëtare Penale ashtu edhe të zbatojë atë urdhërarrest, dhe kjo është diçka që dua ta shoh të ndodhë", u tha Mamdani gazetarëve.
Ai i bëri këto deklarata pasi kërkoi nga administrata e tij të shqyrtojë të gjitha ligjet e zbatueshme në lidhje me urdhërarrestin e GJNP-së. Megjithëse administrata e tij nuk ka autoritet të pavarur për të zbatuar urdhërarrestin, Mamdani tha se beson se qeveria federale mund ta lehtësojë arrestimin e Netanyahut.
GJNP-ja lëshoi urdhërarreste në nëntor të vitit 2024 për Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, nën dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Së fundmi, Mamdani e përshkroi Netanyahun si "kriminel lufte" dhe tha se kryeministri izraelit nuk është i mirëpritur në qytetin e New Yorkut. Ai tha se si amerikan, beson se SHBA-ja mban përgjegjësi për viktimat në Palestinë, sepse qytetarët e saj "paguajnë për bombat që vrasin".
Thirrja e Mamdanit bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me qëndrimin e presidentit amerikan Donald Trump, i cili të hënën tha se Netanyahu "nuk do të arrestohet, në asnjë mënyrë apo formë" gjatë qëndrimit të tij në SHBA.