Bota

Senati i Pakistanit miraton rezolutën kundër planit të Trump-it

Duke shprehur shqetësim për të ashtuquajturën "Marrëveshja e Shekullit", e cila shpalli Kudsin "kryeqytet të Izraelit", senatorët thanë se ky plan është i barabartë me "instrumentin e dorëzimit poshtërues të palestinezëve ndaj shtypësve të tyre"

Ekip  | 18.02.2020 - Përdıtësım : 18.02.2020
Senati i Pakistanit miraton rezolutën kundër planit të Trump-it

Karachi

Senati i Pakistanit, Dhoma më e lartë e Parlametit, njëzëri ka miratuar një rezolutë duke refuzuar planin e diskutueshëm të paqes për Lindjen e Mesme të presidentit amerikan, Donald Trump, të shpalosur muajin e kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç raportoi televizioni shtetëror "Pakistan Television", rezoluta, e paraqitur nga senatori Mushtaq Ahmad Khan nga partia politike kryesore e vendit "Jamaat-e-Islami", u mbështet nga të gjithë anëtarët e Thesarit dhe opozitës.

Duke shprehur shqetësim për të ashtuquajturën "Marrëveshja e Shekullit", e cila shpalli Kudsin "kryeqytet të Izraelit", senatorët thanë se ky plan është i barabartë me "instrumentin e dorëzimit poshtërues të palestinezëve ndaj shtypësve të tyre".

Rezoluta po ashtu bëri thirrje që çështja të zgjidhet në mënyrë të drejtë dhe paqësore në dritën e rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (AP-OKB) dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshirë krijimin e një shteti sovran palestinez, kthimin e sigurt të të gjithë palestinezëve në shtëpitë e tyre, kthimin e tokave të tyre të cilat aktualisht janë në posedim të paligjshëm të kolonëve izraelitë duke shkelur ligjin ndërkombëtar si dhe për ndalimin e agresionit ndaj palestinezëve.

Më tej, rezoluta kërkon nga qeveria të ndërmarrë hapa për të thirrur seanca të veçanta të AP të OKB-së dhe Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI) për të hartuar një strategji të bazuar në konsensus "duke marrë parasysh të drejtat legjitime të popullit palestinez të njohura me ligjin ndërkombëtar" për zgjidhje miqësore të çështjes palestineze.

Më 28 janar, së bashku me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, presidenti Trump shpalosi të ashtuquajturën "Marrëveshja e paqes" gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë.

Plani i tij jashtëzakonisht shmanget nga konsensusi ndërkombëtar mbi konfliktin, duke mohuar të drejtën e kthimit të refugjatëve palestinezë dhe ngushtimin e jashtëzakonshëm të kufijve të tyre brenda Bregut Perëndimor.

Plani po ashtu në mënyrë të njëanshme anulon rezolutat e mëparshme të OKB-së për kontestin palestinezo-izraelit dhe njeh vendbanimet e paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor.

Ndër detajet e planit të Trumpit, Kudsi do të mbetet "kryeqytet i pandarë" i Izraelit, një thirrje e cila ka shkaktuar një kundërshtim të ashpër nga bota muslimane.

Propozimi i Trumpit po ashtu kërkon "refuzim të fuqishëm të terrorizmit" nga palestinezët dhe përfshin njohjen e një shteti palestinez "të afërt" që do të "dyfishojë territorin palestinez" me kalimin e kohës pasi të përmbushen disa kushte të caktuara. Izarelit po ashtu do t'i jepet sovraniteti mbi të gjithë Luginën e Jordanit në shtigjet lindore të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Përmes rrjetit social Twitter, Trump lëshoi një kopje të "hartës së tij konceptuale" për një zgjidhje me dy shtete që përfshinte territorin palestinez shumë të zvogëluar në Bregun Perëndimor, i cili po ashtu përfshinte 15 "komunitete të enklavës izraelite" të lidhura me rrugët hyrëse të Izraelit që kalojnë nëpër territorin e parashikuar të Palestinës. Kjo do të njohë sovranitetin e Izraelit mbi vendbanimet ekzistuese, të cilat janë të paligjshme në bazë të ligjit ndërkombëtar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.