Dmitri Chirciu
31 Maj 2023•Përditësim: 31 Maj 2023
Guvernatori i rajonit Belgorod në Rusi, Vyacheslav Gladkov njoftoi se një person ka humbur jetën në sulmin që ushtria ukrainase ka ndërmarrë kundër rajonit, transmeton Anadolu.
Nga kanali Telegram, Gladkov lidhur me situatën në rajonin Belgorod tha se situata në rajon është përkeqësuar dhe Forcat e Armatosura të Ukrainës gjatë natës kanë kryer sulme artilerike.
"Si pasojë e sulmit të kryer ndaj qendrës së përkohshme të evakuimeve në qytetin Shebekino, ka humbur jetën një person dhe janë plagosur dy të tjerë", tha Gladkov.
Ai tha se sulme janë ndërmarrë edhe ndaj qyteteve të tjera të rajonit dhe se në këto sulme janë dëmtuar shumë ndërtesa.
Po ashtu njoftohet se në rajonin Krasnodar të vendit ka rënë një mjet ajror pa pilot (dron). Ndaj rajonit Belgorod të Rusisë, herë pas here kryhen sulme me artileri dhe dronë.
Javën e kaluar u raportua se një grup sabotues i lidhur me ushtrinë ukrainase hyri në rajon dhe kundër këtij grupi u ndërmor një operacion.