Bota

Rusia: Në Kharkiv të Ukrainës u vranë mbi 90 mercenarë të huaj

"Qendra ku janë vendosur përkohësisht mercenarët e huaj në qytetin Kharkiv u godit nga toka me armë të precizionit të lartë. U eliminuan mbi 90 militantë", tha zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov

Dmitri Chirciu  | 18.08.2022 - Përdıtësım : 19.08.2022
Rusia: Në Kharkiv të Ukrainës u vranë mbi 90 mercenarë të huaj Foto: AA/Arkiv

Moskë

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, tha se në qytetin Kharkiv të Ukrainës janë neutralizuar me armë me precizion të lartë mbi 90 mercenarë të huaj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Konashenkov ndau informacione lidhur me aktivitetet e forcave të ushtrisë ruse në luftën Rusi-Ukrainë.

"Ushtria ruse vazhdon sulmet e saj kundër elementëve ushtarakë në Ukrainë", tha Konashenkov i cili pretendoi se ushtria ukrainase ka pësuar humbje "serioze".

Ai pretendoi se batalioni i 37-të i Brigadës së 56-të të Këmbësorisë së Motorizuar të Forcave të Armatosura të Ukrainës ka humbur aftësinë luftarake. Konashenkov shtoi se në afërsi të vendbanimeve Bila, Krinitsa dhe Velyke Artakove janë neutralizuar mbi 80 ushtarë ukrainas dhe se 50 ushtarë të tjerë janë plagosur.

"Qendra ku janë vendosur përkohësisht mercenarët e huaj në qytetin Kharkiv u godit nga toka me armë të precizionit të lartë. U eliminuan mbi 90 militantë", deklaroi Konashenkov.

Duke informuar se në sulmin e ndërmarrë kundër pozicioneve të përkohshme të Brigadës së 28 të Motorizuar të Ushtrisë së Ukrainës në rajonin Mykolaiv janë neutralizuar dhejtëra ushtarë dhe shkatërruar 8 mjetet e tyre speciale, Konashenkov pretendoi më tej që në rajonin Donetsk janë neutralizuar mbi 250 ushtarë ukrainas.

Në 24 orët e fundit janë shkatërruar 5 qendra menaxhimi, 3 depo të municioneve dhe 10 mjete ajrore pa pilot, tha Konashenkov. "Deri më sot janë rrëzuar 267 avionë, 148 helikopterë, 1.757 mjete ajrore pa pilot, ndërsa janë shkatërruar 366 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 4.340 tanke dhe mjete të blinduara, 800 multi-raketahedhëse, 3.312 obusë dhe mortaja, si dhe 4.938 mjete ushtarake të veçanta të ushtrisë së Ukrainës", tha Konashenkov.

Pretendimi për provokim kundër centralit të energjisë bërthamore Zaporizhzhia

Duke pretenduar se administrata e Kievit më 19 gusht do të ndërmarrë veprime provokuese kundër centralit të energjisë bërthamore Zaporizhzhia gjatë vizitës të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuar (OKB) Antonio Guterres në Ukrainë, Konashenkov u shpreh se "Si rezultat i këtij provokimi Rusia do të akuzohet për krijimin e një fatkeqësie në central".

Më tej Konashenkov shtoi se ushtria ruse ka marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e centralit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.