Bota

Rusia: Mbështetja ushtarake e SHBA-së për Ukrainën zgjat konfliktin

Zëvendës zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Ivan Nechayev tha se mbështetja ushtarake e SHBA-së për Ukrainën zgjat konfliktin

Dmitri Chirciu  | 11.08.2022 - Përdıtësım : 12.08.2022
Rusia: Mbështetja ushtarake e SHBA-së për Ukrainën zgjat konfliktin Foto: Metin Aktaş / AA

Moskë

Zëvendës zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Ivan Nechayev tha se mbështetja ushtarake e SHBA-së për Ukrainën zgjat konfliktin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke iu referuar luftës në Ukrainë, Nechayev në një konferencë online për mediat tërhoqi vëmendjen për faktin se më 8 gusht SHBA-ja njoftoi se do të japin 1 miliard dollarë mbështetje për Ukrainën.

"Vëllimi i përgjithshëm i ndihmës ushtarake të SHBA-së për Ukrainën ka arritur në 9.8 miliardë dollarë që nga fillimi i presidencës së Joe Biden dhe 11.8 miliardë dollarë që nga viti 2014. Kjo politikë zgjat konfliktet dhe nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës", tha Nechayev.

Duke komentuar vrasjen e liderit të organizatës terroriste Al-Kaeda, Ayman ez-Zawahiri në Afganistan muajin e kaluar me një mjet ajror pa pilot (UAV), Nechayev tha: "Ne nuk mund të konfirmojmë deklaratat e SHBA-së për këtë çështje. Washingtoni nuk ka dhënë asnjë provë publike se terroristi në fjalë është vrarë".

Ai tha se incidenti ka ndodhur në territorin e Afganistanit. "SHBA-ja nuk respekton ligjin ndërkombëtar dhe sovranitetin kombëtar të shteteve të huaja", tha Nechayev.

Nechayev u ndal edhe në çështjen e shkëmbimit të shtetasve të arrestuar rusë dhe amerikanë ndërmjet Rusisë dhe SHBA-së. Sipas tij, kontaktet ndërmjet institucioneve përkatëse të dy vendeve po vazhdojnë.

Pretendimi se Koreja e Veriut ofroi të dërgonte vullnetarë në Rusi

Lidhur me lajmin se Koreja e Veriut ofroi të dërgonte 100 mijë ushtarë vullnetarë në Rusi për të luftuar në Ukrainë, Nechayev tha se këto akuza ishin "gënjeshtra".

"Nuk ka negociata për këtë çështje dhe nuk ka plane për të dërguar vullnetarë koreano-veriorë në republikat popullore Donetsk dhe Luhansk", tha Nechayev.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın