Bota

"Rusia e gatshme të diskutojë për shkëmbimin e të burgosurve me SHBA-në"

"Nëse amerikanët përsëri vendosin të angazhohen në diplomacinë publike, ky është biznesi dhe problemi i tyre”, tha Lavrov një ditë pasi një gjykatë në Moskë dënoi basketbollisten amerikane Brittney Griner me 9 vite burg

Jeyhun Aliyev   | 05.08.2022
"Rusia e gatshme të diskutojë për shkëmbimin e të burgosurve me SHBA-në"

Ankara

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov ka deklaruar se Rusia është e gatshme të diskutojë për shkëmbimin e të burgosurve me SHBA-në, por se ky diskutim duhet të jetë në nivelin e presidentëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Nëse amerikanët përsëri vendosin të angazhohen në diplomacinë publike, ky është biznesi dhe problemi i tyre”, tha Lavrov një ditë pasi një gjykatë në Moskë dënoi basketbollisten profesionale amerikane, Brittney Griner, me 9 vite burg.

Komentet e Lavrovit erdhën pas takimit të shefave të diplomacisë në Samitin e Azisë Lindore në kryeqytetin e Kamboxhias, Phnom Penh.

Në një prononcim tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se kanali përmes të cilit Rusia dhe SHBA-ja mund të zhvillojnë diskutime, përfshirë shkëmbimin e të burgosurve u ra dakord nga presidentët Vladimir Putin dhe Joe Biden gjatë një takimi në Gjenevë.

Dje, gjykata e qytetit Khimki në rajonin e Moskës dënoi basketbollisten amerikane me akuza për posedim dhe kontrabandë të drogës. Gjykata gjithashtu vendosi një gjobë prej 1 milion rubla (16.600 dollarë) për yllin e WNBA-së.

31-vjeçarja Griner u arrestua në muajin shkurt në aeroportin "Sheremetyevo" të Moskës pasi autoritetet thanë se gjetën vaj kanabisi në pronësi të saj.

Ajo u deklarua fajtore në muajin korrik për akuzat për drogë, por ka pohuar se ka përdorur kanabis medicinal për të trajtuar dhimbjen, si dhe ka mohuar qëllimin për të shkelur ligjin rus.

Më herët, SHBA-ja ofroi një marrëveshje shkëmbimi që përfshinte Griner dhe Paul Whelan, i cili është mbajtur në Rusi që nga viti 2018 me akuza për spiunazh.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.