İlayda Çakırtekin
27 korrik 2026•Përditësim: 27 korrik 2026
Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë thirri ambasadorin rus në Bukuresht pas shkeljeve të fundit me dronë dhe shpalli "persona non grata" një punonjës të ambasadës, transmeton Anadolu.
"Me udhëzim të ministrit të Punëve të Jashtme, ambasadori i Federatës Ruse në Bukuresht u thirr sot në selinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme", njoftoi ministria në platformën X të kompanisë amerikane të mediave sociale.
Ministria tha se ambasadori u thirr si një "përgjigje e vendosur" ndaj shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore të Rumanisë gjatë tri ditëve të fundit, nga 24 deri më 26 korrik, gjatë të cilave forcat e armatosura të vendit rrëzuan tre dronë.
"Diplomatit rus iu paraqitën fragmente të një droni të shkatërruar në territorin rumun, përbërës të të cilit hetimet zyrtare të prokurorisë kanë konfirmuar se janë me origjinë ruse", tha ministria.
Ministria i cilësoi veprimet si "të paligjshme dhe të papërgjegjshme", duke shtuar se pala rumune theksoi gjatë takimit se "është absolutisht e papranueshme dhe e patolerueshme që Federata Ruse të vazhdojë të shkelë hapësirën ajrore të Rumanisë".
Ajo tha se pala rumune gjithashtu vuri në dukje përgjegjësinë e Rusisë për incidentet dhe "për përkeqësimin e mjedisit të sigurisë rajonale".
"Gjatë takimit, ambasadorit rus iu dorëzua një Notë Verbale zyrtare, ku njoftohej vendimi për shpalljen e padëshirueshëm të një anëtari të misionit të Federatës Ruse në Bukuresht, duke kërkuar që ai të largohet nga territori rumun brenda 5 ditësh", thuhet në njoftim.
Ministria gjithashtu e thirri ambasadorin e Rumanisë në Rusi në Bukuresht për konsultime.
"Rumania do të vazhdojë të koordinojë nga afër përgjigjen e saj me aleatët dhe partnerët e saj në NATO dhe BE, duke mbetur plotësisht e angazhuar për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe qytetarëve të saj", shtoi ministria.