Bota

RSF i bën thirrje Egjiptit dhe Arabisë Saudite të lirojnë gazetarët e arrestuar

Apeli nga grupi i Reporterëve pa Kufij (RSF) vjen pas vdekjes së një gazetari egjiptian, pasi ai u infektua me koronavirusin e ri (COVID-19) në burg dhe vdekjes së gazetarit saudit vetëm disa javë pas lirimit

Ekip  | 30.07.2020 - Përdıtësım : 31.07.2020
RSF i bën thirrje Egjiptit dhe Arabisë Saudite të lirojnë gazetarët e arrestuar

Stamboll

Një grup ndërkombëtar për të drejtat e mediave ka kërkuar nga Egjipti dhe Arabia Saudite që të lirojnë të gjithë gazetarët e arrestuar "për të shmangur një katastrofë para se të jetë vonë", transmeton Anadolu Agency (AA).

Apeli nga grupi i Reporterëve pa Kufij (RSF) vjen pas vdekjes së një gazetari egjiptian, pasi ai u infektua me koronavirusin e ri (COVID-19) në burg dhe vdekjes së gazetarit saudit vetëm disa javë pas lirimit.

Organizata jo-fitimprurëse në njoftimin e saj tha se "vdekjet e Mohamed Monir dhe Saleh al-Shehi gjatë pandemisë flasin për urgjencën e lirimit të gazetarëve në mënyrë që të shmangin një fat tragjik".

Gazetari egjiptian Mohamed Monir vdiq më 13 korrik, ndërsa ai saudit Saleh al-Shehi më 19 korrik, menjëherë pasi autoritetet në mënyrë të papritur liruan ata nga burgu pa ndonjë "paralajmërim paraprak".

Sipas organizatës joqeveritare që mbron të drejtën e lirisë së informacionit, Monir u arrestua dhe u akuzua për "përhapje të lajmeve të rreme", ndërsa al-Shehi po vuante një dënim 5-vjeçar pasi ka folur për "korrupsionin brenda elitës qeverisëse të Arabisë Saudite".

Deklarata u bëri thirrje të dy vendeve që të shfrytëzojnë rastin e festës së Kurban Bajramit dhe të lirojnë të gjithë gazetarët nga "burgjet e mbipopulluara".

Egjipti dhe Arabia Saudite aktualisht janë dy vendet me më shumë gazetarë të burgosur në botë. RSF ka identifikuar 30 gazetarë të arrestuar në Egjipt dhe 33 në Arabinë Saudite.

Egjipti renditet në vendin e 166-të nga 180 vende në raportin e RSF-së mbi Indeksin e Lirisë Botërore të Shtypit. Arabia Saudite renditet e 170-ta.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.