Bota, Ekonomi

Rreth 1.8 miliardë njerëz në 25 vende përjetuan temperatura rekord të ngrohta në 2021

Sipas raportit, megjithëse viti 2021 ishte më i freskët se viti 2020, tendenca afatgjate mbetet në përputhje me modelin e vazhdueshëm të ngrohjes globale

Nuran Erkul Kaya   | 14.01.2022
Rreth 1.8 miliardë njerëz në 25 vende përjetuan temperatura rekord të ngrohta në 2021

Stamboll

Përafërsisht 1.8 miliardë njerëz në mbarë botën vitin e kaluar përjetuan një mesatare vjetore të ngrohtë rekord dhe rritje të temperaturës globale prej 1.2 gradë Celsius mbi mesataren e viteve 1850-1900, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportit të Berkeley Earth, derisa viti 2021 ishte dukshëm më i ftohtë se viti 2020, ky ishte nominalisht viti i gjashtë më i ngrohtë në Tokë që nga viti 1850.

Në tokë, 2021 ishte nominalisht viti i pestë më i ngrohtë i vëzhguar dhe njëherësh i barazuar me 2015. Ky ishte dukshëm më i freskët se 2020, i cili ishte viti më i ngrohtë në tokë.

Sipas raportit, megjithëse viti 2021 ishte më i freskët se viti 2020, tendenca afatgjate mbetet në përputhje me modelin e vazhdueshëm të ngrohjes globale.

Ndërsa temperatura mesatare globale nuk arriti rekord të ri në vitin 2021, megjithatë 25 vende përjetuan vitin e tyre më të ngrohtë në rekord.

Në këto 25 vende jetojnë rreth 1.8 miliardë njerëz, konkretisht Bangladeshi, Bahreini, Benini, Butani, Burkina Faso, Kina, Gana, Guinea, Irani, Kuvajti, Liberia, Malta, Mianmari, Nigeria, Koreja e Veriut, Omani, Katari, Arabia Saudite, Senegali, Sierra Leone, Koreja e Jugut, Togo, Tunizia, Turkmenistani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Kontribuesi më i madh në këtë ngrohtësi rekord erdhi nga pjesa më e madhe e Kinës.

Në 87 për qind të sipërfaqes së Tokës temperatura më e ngrohtë se mesatarja

Në vitin 2021, 87 për qind e sipërfaqes së Tokës ishte dukshëm më e ngrohtë se temperatura mesatare gjatë viteve 1951-1980, ndërsa 11 për qind përjetuan temperatura të ngjashme dhe vetëm 2.6 për qind ishin dukshëm më të ftohtë.

"Askush nuk jeton në temperaturën mesatare globale", tha shkencëtari kryesor i Berkeley Earth Robert Rohde. "Shumica e zonave tokësore do të përjetojnë më shumë ngrohje se mesatarja globale dhe vendet duhet të planifikojnë përgjigjet e tyre ndaj kësaj."

"Ne vlerësojmë se 8.3 për qind e sipërfaqes së Tokës vendosi një rekord të ri lokal për mesataren vjetore më të ngrohtë. Në vitin 2021, asnjë vend në Tokë nuk përjetoi një mesatare vjetore rekord të ftohtë", tha Rohde.

Zonat tokësore në përgjithësi tregojnë mbi dy herë më shumë ngrohje sesa oqeanet, tha Berkeley Earth, kurse vitin e kaluar gjithashtu tregoi ngrohje të fortë mbi Arktik që tejkalon shkallën mesatare të ngrohjes së Tokës.

"Kjo është në përputhje me procesin e njohur si amplifikimi i Arktikut. Duke shkrirë akullin e detit dhe duke ulur mbulesën e borës, ngrohja në rajonet e Arktikut bën që të absorbohet më shumë rrezet e diellit, gjë që lejon edhe më shumë ngrohje.

"Megjithatë, viti 2021 nuk ishte aq i ngrohtë sa vitet e tjera të fundit dhe u rendit i 13-ti në përgjithësi. Në mënyrë të ngjashme, shkrirja e akullit të detit në 2021 ishte më pak ekstreme se vitet e tjera të fundit, megjithëse ende shumë larg asaj që ishte tipike 30 vjet më parë", tha ai.

Viti 2022 do të jetë i ngjashëm ose pak më i ngrohtë se 2021

Berkeley Earth parashikoi duke u bazuar në kushtet aktuale se viti 2022 do të jetë i ngjashëm ose pak më i ngrohtë se viti 2021.

“Për shkak të rikthimit të kushteve të La Niña në fund të vitit 2021, nuk ka gjasa që viti 2022 të jetë një vit i ngrohtë rekord”, thuhet në raport.

Marrëveshja e Parisit për Klimën e nënshkruar nga 191 vende plus Bashkimin Evropian në vitin 2015 synon të kufizojë rritjen e temperaturës globale me 1.5 gradë Celsius ose ta mbajë dukshëm nën 2 gradë Celsius.

Megjithatë, Berkeley Earth parashikoi që me ritmin aktual të progresionit, rritja e temperaturës mesatare afatgjatë të Tokës do të arrijë 1.5 gradë Celsius mbi mesataren e viteve 1850-1900 rreth vitit 2033 dhe 2 gradë Celsius do të arrihen rreth vitit 2059.

Rohde fajësoi rritjen e gazeve serrë në atmosferë për shkak të aktiviteteve njerëzore për ngrohjen globale të kohëve të fundit.

Ai paralajmëroi se nëse synimi i Marrëveshjes së Parisit për ngrohje jo më shumë se 2 gradë Celsius do të arrihet, duhet të bëhet së shpejti përparim i rëndësishëm drejt reduktimit të emetimeve të gazeve serrë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın