Bota

Rouhani: Kthimi i SHBA-së në marrëveshjen bërthamore i mundur vetëm me heqjen e sanksioneve

Presidenti iranian deklaroi se ata duan që marrëdhëniet të kthehen sipas zotimeve dhe marrëveshjes së vitit 2015, duke shtuar se "palët duhet të respektojnë premtimet që i pranuan gjatë marrëveshjes"

Muhammet Kurşun  | 13.04.2021 - Përdıtësım : 14.04.2021
Rouhani: Kthimi i SHBA-së në marrëveshjen bërthamore i mundur vetëm me heqjen e sanksioneve

Teheran

Presidenti iranian Hassan Rouhani deklaroi se mënyra e vetme që Shtetet e Bashkuara (SHBA) të kthehen në marrëveshjen bërthamore është heqja e sanksioneve, ndërsa ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, i cili dha mesazhe bashkëpunimi, mbështeti qëndrimin e Iranit për këtë çështje, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke pritur ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov, Rouhani u prononcua mbi marrëdhëniet Moskë-Teheran dhe marrëveshjen bërthamore, thuhet në një deklaratë nga Presidenca e Iranit.

Rouhani, i cili vlerësoi Rusinë për qëndrimin e saj dhe mbështetjen në marrëveshjet bërthamore, tha se "Shtetet e Bashkuara dhe e gjithë bota kanë arritur në përfundimin se politika e presionit maksimal ka dështuar".

"E vetmja mënyrë që SHBA-ja të kthehet në marrëveshjen bërthamore është heqja e sanksioneve", ka shtuar Rouhani.

Ai deklaroi se ata duan që marrëdhëniet të kthehen sipas zotimeve dhe marrëveshjes së vitit 2015, duke shtuar se "palët duhet të respektojnë premtimet që i pranuan gjatë marrëveshjes".

"Ne as nuk pranojmë më pak se kjo, as nuk kërkojmë të arrijmë më shumë", theksoi presidenti iranian.

Marrëdhëniet me Rusinë

Duke deklaruar se bashkëpunimi midis Rusisë dhe Iranit do të jetë efektiv në ringjalljen dhe aktivizimin e marrëveshjes bërthamore, Rouhani tha se ata mbështesin zgjerimin e bashkëpunimit rajonal.

Rouhani deklaroi se bashkëpunimi midis Iranit dhe Rusisë në çështjet ushtarake dhe fushat e mbrojtjes duhet të zgjerohet.

Ai po ashtu kritikoi normalizimin e marrëdhënieve të disa vendeve të Gjirit me Izraelin.

"Hapja e rrugës për regjimin sionist, një vend që krijon paqëndrueshmëri dhe tension, drejt Gjirit Persik, është një hap i rrezikshëm", tha Rouhani.

Rouhani kërkoi që Irani dhe Rusia të përshpejtojnë hapat në lidhje me krijimin e një linje të përbashkët të prodhimit të vaksinave kundër koronavirusit.

Mbështetje nga Lavrov

Nga ana tjetër, Lavrov gjithashtu deklaroi se janë të vendosur për të thelluar dhe zgjeruar marrëdhëniet dhe se kanë një vullnet të fortë në këtë drejtim.

"Nuk ka asnjë kufizim në zhvillimin e bashkëpunimit midis Teheranit dhe Moskës në fushat e teknologjisë dhe mbrojtjes", tha shefi i diplomacisë ruse.

Duke vënë në dukje se Irani dhe Rusia kanë qëllime të përbashkëta dhe të ngushta për bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, Lavrov tha: "Sipas Moskës, zgjidhja e vetme është që Shtetet e Bashkuara të kthehen në marrëveshjen bërthamore plotësisht pa kushte dhe të respektojnë angazhimet e tyre. Sipas nesh, është e padobishme të kërkosh nga Irani që të pranojë kushte të reja në kuadër të marrëveshjes bërthamore ose, për më tepër, të kërkohen zotime të reja".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.