James Tasamba
05 gusht 2026•Përditësim: 05 gusht 2026
Autoritetet shëndetësore kërkuan sot përgjigje të përshpejtuar ndaj Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, pasi numri i vdekjeve nga shpërthimi aktual u rrit mbi 1.750 në mes të transmetimit të vazhdueshëm, transmeton Anadolu.
Përhapja e fundit e Ebolës në RD të Kongos është bërë shpërthimi i dytë më i madh i Ebolës në botë nga infeksionet e regjistruara. Të paktën 3.874 raste, përfshirë 1.751 vdekje, janë regjistruar që nga shpallja e shpërthimit në mes të majit, thanë autoritetet në përditësimin e fundit të situatës.
Ndërkohë shkalla e vdekshmërisë është 45.1 për qind. Rreth 717 pacientë janë aktualisht në izolim ose spital ndërsa 749 persona janë shëruar.
Qendra e Operacioneve Emergjente të Shëndetit Publik të vendit bëri thirrje për "forcim të gjurmimit dhe koordinimit të kontakteve" për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së Ebolës për shkak të lëvizshmërisë së lartë të popullsisë.
Virusi ka prekur pesë provinca: Haut-Uele, Ituri, Kivu Veriore, Kivu Jugore dhe Tshopo. Ituri mbetet epiqendra e epidemisë së shkaktuar nga lloji i virusit Bundibugyo.
Të martën, një ekip zyrtarësh shëndetësorë nga Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vizituan rajonin Ituri për të takuar ekipet që mbështesin reagimin.
Zyrtarët përuruan Qendrën e Trajtimit të Ebolës në Rwangole në kryeqytetin e provincës, Bunia, që pritet të zgjerojë aksesin në kujdesin në kohë dhe cilësor dhe të forcojë përpjekjet për të ndaluar transmetimin dhe për të mbrojtur komunitetet e prekura.
Drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Afrikën, Mohamed Janabi u tha gazetarëve në Bunia se reagimin ka mbetur i pamjaftueshëm pasi virusi vazhdoi të marrë jetë njerëzish.
Zyrtari kërkoi më shumë mbështetje për të luftuar shpërthimin, për të cilin ai tha se po tejkalon përpjekjet e reagimit. Më shumë se 17 mijë kontakte të mundshme janë duke u monitoruar, tha OBSH-ja.
Një studim i botuar javën e kaluar në revistën "Science" tregoi se shpërthimi aktual i Ebolës në RD të Kongos filloi në janar, apo edhe më herët, në një qytet të largët minierash në provincën lindore Ituri.