Bota

Rama: Sjellja e çështjeve historike dypalëshe në nivelin e Bashkimit Evropian duhet të ndalet

Kryeministri Rama ka mbrojtur qëndrimet dhe kritikat e tij të shprehura në takimin me liderët e Bashkimit Evropian (BE), ndërkohë ka bërë lëvdata ndaj Türkiye-s (Turqisë) për ndihmën gjatë pandemisë COVID-19

Fatjon Cuka   | 24.06.2022
Rama: Sjellja e çështjeve historike dypalëshe në nivelin e Bashkimit Evropian duhet të ndalet

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbrojtur qëndrimet dhe kritikat e tij të shprehura në takimin me liderët e Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel, në lidhje me mos hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriut në BE, ndërkohë ka bërë lëvdata ndaj Türkiye-s (Turqisë) për ndihmën gjatë pandemisë COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Rama ka publikuar në rrjetet sociale fjalën e tij të mbajtur në takimin në Bruksel, ku ka theksuar se sjellja e çështjeve historike dypalëshe në nivelin e BE-së duhet të ndalet.

"Fryma e zgjerimit është shndërruar nga vizioni i përbashkët i një komuniteti të tërë, në një mjet pengmarrjeje për qëllimet individuale të shteteve anëtare. Procesi i zgjerimit dikur ishte një mënyrë për të ushqyer shpirtin e Evropës së përbashkët. Tashmë është kthyer në rrugën më të shkurtër që mund të çojë në shkatërrimin e saj", ka theksuar Rama.

"Agresori rus i Ukrainës po merr një ndihmë tejet bujare dhe madje të pakërkuar nga një vend i NATO-s, i cili po destabilizon një tjetër vend të NATO-s, duke nxitur më shumë mllef e pakënaqësi në një rajon si i yni, që ende mund të mos jetë pjesë e BE-së, por mbetet një pjesë e Evropës, ku sot Vladimir Putini sheh pikërisht hallkën e dobët për të goditur më tej rendin evropian", ka theksuar ai.

Rama ka shtuar se ideja e presidenti francez, Emmanuel Macron, për të mbledhur të gjithë së bashku, në një Komunitet të ri Politik Evropian, “duket për momentin një recetë shumë më premtuese sesa pjata bosh e zgjerimit pa zgjerim, e cila na është servirur për vite të tëra me radhë”.

Kryeministri i Shqipërisë, në fjalën e tij ka bërë thirrje për mbështetje pa asnjë mëdyshje të nismës "Ballkani i Hapur".

"Ballkani i Hapur është artikulimi më i pastër i ndjesisë sonë të përkatësisë në Evropë. Është përpjekja më e gjithanshme për të krijuar një hapësirë paqeje, bashkëpunimi dhe sundimi të katër lirive themelore të BE-së, duke garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve në një rajon që rrethohet prej kufijve të BE-së dhe është i ekspozuar ndaj armiqve e konkurrentëve të pamëshirshëm të BE-së", është shprehur Rama.

Rama ka lëshuar kritika ndaj BE-së mbi çështjet e ndihmës për vaksinimin kundër pandemisë COVID-19 dhe lidhur me këtë çështje ka bërë lëvdata ndaj Türkiye-s.

"Apo s'ju kujtohet si na e bëtë ju me pandeminë? Harruat të mendonit për vaksinimin e infermierëve dhe infermiereve tona! Dhe pasi flisni e flisni prej vitesh për influencën e Kinës, Rusisë apo Turqisë (Türkiye) në Ballkan, po ku të shkonim t’i gjenim ne vaksinat kur ju na kthyet shpinën? Në hënë? Kështu që disave iu desh t’i drejtoheshin Kinës apo Rusisë, ndërsa neve na u desh t’i drejtoheshim Turqisë (Türkiye) dhe lavdi Zotit që Turqia (Türkiye) s'na la në baltë, e prandaj edhe shpëtuan jetë të panumërta njerëzish", është shprehur Rama.

Rama tha se BE sot është në një krizë të thellë identiteti dhe shtoi se, "Shpresoj shumë, po ashtu, që, ndërkohë që pengmarrja e Bullgarisë është ende në veprim, situata e dhimbshme e pengmarrjes së Kosovës të marrë fund dhe popullata e vetme në Evropë pa të drejtë të lëvizë lirisht jashtë vendit të vet, të marrë liberalizimin e shumëmerituar të vizave."

Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka reaguar në rrjetet sociale edhe në lidhje me reagimet e zyrtarëve bullgarë ndaj kritikave të Ramës për veton e Bullgarisë.

“Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka një problem me mënyrën time të të folurit. Mjaft e drejtë. Edhe unë kam një problem me mënyrën se si Bullgaria dëshiron të zgjidhë çështjet biletarale duke përdorur procesin e zgjerimit si mjet për rrëmbimin e dy vendeve të NATO-s. Miq është e lehtë: Hiqni VETO-n ose më duroni mua”, ka shkruar Rama.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë vende kandidate për anëtarësim në BE dhe janë në pritje të hapjes zyrtare të negociatave të anëtarësimit, ndërkohë në takimin e djeshëm të Liderëve të Bashkimit Evropian nuk u vendos hapja e negociatave për dy vendet për shkak të vetos së Bullgarisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın