Bota

"Qeverisja ekonomike, sfidë kryesore për qeverinë e përkohshme talebane"

Ambasadori pakistanez, Khan tha se bankat dhe bizneset po përballen me vështirësi në Afganistan dhe se nëse talebanët kërkojnë ndihmë nga Pakistani ajo do ta sigurojë atë si një "vend fqinj vëllazëror"

Riyaz Khaliq Khaliq   | 17.09.2021
"Qeverisja ekonomike, sfidë kryesore për qeverinë e përkohshme talebane"

Kabul

Ambasadori i Pakistanit në Kabul, Mansour Ahmad Khan ka deklaruar se vendi i tij ka ofruar mbështetje teknike në sektorë të ndryshëm për administratën e re të përkohshme të talebanëve, përfshirë në shërbimet bankare dhe në tregti. Ai ka theksuar se qeverisja ekonomike do të jetë një sfidë e madhe për qeverinë e përkohshme talebane.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), ambasadori pakistanez thotë se bankat dhe bizneset po përballen me vështirësi në Afganistan dhe se nëse talebanët kërkojnë ndihmë nga Pakistani ajo do ta sigurojë atë si një "vend fqinj vëllazëror".

Khan tha se ai u takua me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Ameer Khan Muttaqi dhe me ministrin në detyrë të Financave, Gul Agha Ishaqzai për të diskutuar sfidat me të cilat po përballet Afganistani.

- Njohja e qeverisë talebane

Khan tha se ky është një proces që zhvillohet në faza dhe shtoi se hapi i parë është një evakuim i ndjekur nga fazat e tanishme të ndihmës humanitare dhe së fundmi pjesëmarrja e shtuar për të ndihmuar administratën e re të përkohshme të përmbushë nevojat e popullit afgan përmes qeverisjes së mirë.

"Komuniteti ndërkombëtar ka pritshmëri nga administrata e përkohshme, veçanërisht përfshirja e vërtetë", tha Khan, duke iu referuar përfshirjes së grupeve të ndryshme etnike në qeveri.

Të drejtat e njeriut dhe çështjet humanitare po ashtu duhet të merren parasysh, tha ai, duke theksuar se Pakistani do të analizojë "si gratë do të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme kombëtare, natyrisht brenda kontekstit të traditave fetare dhe kulturore të Afganistanit".

"Pra, kur ata njohin (talebanët si) një qeveri, nuk është e rëndësishme", tha Khan, duke shtuar se aktualisht "disa vende po angazhohen me qeverinë e re (të përkohshme) afgane për të stabilizuar sistemin".

- Situata e sigurisë

Khan tha se situata e sigurisë në të gjitha provincat ka qenë e qëndrueshme që nga tërheqja e forcave amerikane, megjithëse pati disa incidente në aeroport gjatë evakuimit.

Khan ishte një nga ambasadorët e paktë që zgjodhi të qëndrojë në Kabul kur talebanët më 15 gusht morën nën kontroll kryeqytetin dhe forcat amerikane u kufizuan në aeroportin e Kabulit deri në tërheqjen e tyre më 31 gusht.

Ai tha se ishin të shqetësuar pasi nuk e dinin se çfarë do të ndodhte.

"Ne vendosëm të qëndrojmë këtu dhe të ndihmojmë me përpjekjet e evakuimit gjatë asaj periudhe", tha Khan, duke shtuar se ambasada ndihmoi "ata pakistanezë dhe afganë që donin të kthehen në atdheun e tyre".

Ai njoftoi se ambasada të tjera po ashtu ishin të pranishme, përfshirë Rusinë, Kinën, Turqinë, Iranin dhe Katarin dhe siç tha ai, të gjithë ata po punonin shumë në mënyrat e tyre për të ndihmuar procesin.

"Pra, unë do të thoja se komuniteti ndërkombëtar kryesisht mbeti aktiv. Edhe ato vende perëndimore që mbyllën ambasadat e tyre në Kabul po mbulonin Afganistanin nga Doha", u shpreh Khan.

- Lugina Panjshir

I pyetur lidhur me përfshirjen e supozuar të Pakistanit në mbështetjen e forcave talebane në luftën e tyre kundër grupit të rezistencës Panjshir, Khan tha se ka pasur shumë dezinformata të pabaza që vijnë nga lagje të caktuara dhe pretendoi se "kryesisht ishte iniciuar nga India".

Ai i hodhi poshtë "plotësisht" këto akuza dhe tha se angazhimi i Pakistanit ishte të mbështesë përpjekjet politike për të zgjidhur çështjen.

"Pakistani nuk kishte asnjë përfshirje në asnjë mënyrë. Ne vetëm i këshilluam të dyja palët që të zhvillojnë bisedime për një aranzhim politik për të zgjidhur çështjen e Panjshir-it", u shpreh ai.

- 'Tehreek-e-Taliban Pakistan'

Më tej, ambasadori Khan tha se Pakistani vazhdoi të ushtrojë presion ndaj qeverisë së mëparshme për veprim kundër aktiviteteve të grupeve 'Tehreek-e-Taliban Pakistan' dhe 'Jumaat-ul-Ahrar', duke theksuar se, "Ne po ashtu kemi ngritur çështjen gjatë procesit të paqes me talebanët afganë dhe politikat e tjera afgane në praninë e komunitetit ndërkombëtar".

Në përgjithësi, tha ai, politikanët afganë kanë rënë dakord se ata do të bëjnë gjithçka për të siguruar që grupet terroriste të mos përdorin tokën afgane kundër asnjë prej fqinjëve të saj ose vendeve të tjera.

"Pakistani dhe Afganistani ndajnë një kufi me gjatësi prej 2.400 kilometrash me një histori problemesh", tha ai në përgjigje të një pyetjeje se si do ta monitorojnë atë dhe si do të ndalojnë lëvizjet ndërkufitare.

Khan tha se Pakistani vitet e fundit ka përmirësuar aftësinë për të monitoruar dhe rregulluar këtë kufi dhe shtoi se ata kanë rrethuar kufirin dhe kanë shpenzuar shumë para për stërvitje.

"Por, do të jetë sfiduese për qeverinë afgane (për të monitoruar)", tha ai, duke theksuar gatishmërinë e Islamabadit për të punuar me administratën e re të përkohshme afgane mbi këtë çështje.

- Lëvizja ndërkufitare

Ambasadori pakistanez njoftoi se Islamabadi ka bërë disa aranzhime në vitet e fundit në lidhje me lëshimin e vizave liberale me hyrje të shumëfishtë për afganët që duan të vijnë në Pakistan për biznes, arsim, trajtim mjekësor dhe kontakte familjare në të gjitha vendkalimet e caktuara kufitare, përfshirë në Torkham dhe Chaman. Ai u zotua se ata do të vazhdojnë "të lehtësojnë këtë lëvizje".

"Mendoj se sapo administrata e re të emërojë institucionet e tyre të kalimit të kufirit, ne do të synojmë të angazhohemi me ta në mënyrë që ta bëjmë këtë lëvizje më të lehtë", shtoi Khan.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.