Bota

Putini pranon ftesë për të marrë pjesë në Samitin G20 në Indonezi

Ndihmësi i presidentit rus, Yury Ushakov, tha se megjithatë, ende nuk është marrë vendimi në lidhje me formatin e pjesëmarrjes, a do të jetë ajo me prani fizike ose nëpërmjet videokonferencës

Elena Teslova   | 28.06.2022
Putini pranon ftesë për të marrë pjesë në Samitin G20 në Indonezi

Moskë

Presidenti rus Vladimir Putin ka pranuar ftesën për të marrë pjesë në samitin e G20 në Indonezi në nëntor, raporton Anadolu Agency (AA).

Ndihmësi i presidentit rus, Yury Ushakov, në një konferencë për media tha se megjithatë, ende nuk është marrë vendimi në lidhje me formatin e pjesëmarrjes, a do të jetë ajo me prani fizike ose nëpërmjet videokonferencës.

"Po, ne kemi konfirmuar pjesëmarrjen. Ata kanë dërguar ftesë për një takim offline, por ka shumë kohë. Shpresoj që pandemia të lejojë që ky forum i rëndësishëm të mbahet në një format offline", tha ai.

Ushakov theksoi se Indonezia dërgoi një ftesë zyrtare pavarësisht presionit të fortë nga vendet perëndimore.

Formati i pjesëmarrjes do të diskutohet në takimin e Putinit me presidentin indonezian Joko Widodo, i cili do të bëjë një vizitë zyrtare në Rusi më 30 qershor, shtoi ai.

"Ne falënderuam Indonezinë për ftesën dhe thamë se do të ishim të interesuar të merrnim pjesë. Ka ende shumë kohë. Do të shohim. Deri më tani, kaq", tha Ushakov.

- Presidentët e Rusisë dhe Brazit diskutojnë për krizën ushqimore

Përmes një kumtese tjetër, Kremlini njoftoi se presidenti rus Putin kishte një telefonatë me presidentin e Brazilit, Jair Bolsonaro.

"Presidentët u fokusuan në problemet e sigurisë globale ushqimore. Presidenti i Rusisë dha një vlerësim të detajuar të shkaqeve të situatës së vështirë në tregun botëror të prodhimeve dhe plehrave bujqësore. U theksua rëndësia e rivendosjes së arkitekturës së tregtisë së lirë të produkteve ushqimore dhe plehrave, e cila u godit nga sanksionet perëndimore", thuhet në deklaratë.

Në deklaratë thuhet se Putin theksoi se Rusia është e përkushtuar të përmbushë detyrimet e saj për të siguruar fermerët brazilianë me furnizime të pandërprera me plehra bujqësore ruse.

"Palët konfirmuan synimin e tyre të ndërsjellë për të forcuar vazhdimisht partneritetin strategjik midis dy vendeve, duke përfshirë zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit reciprokisht të dobishëm në fusha të ndryshme, përfshirë bujqësinë dhe energjinë", thuhet në deklaratë.

U trajtuan gjithashtu disa çështje në agjendën ndërkombëtare, duke përfshirë presidencën e radhës të Brazilit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke filluar nga 1 korriku.

Palët gjithashtu u pajtuan për të vazhduar mbajtjen e kontakteve në nivele të ndryshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın