Bota

Putin paralajmëron për një luftë të mundshme globale

Putin tha se është e nevojshme "një bisedë serioze" për sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar. Ai theksoi se veçanërisht 5 shtetet bërthamore kanë një "përgjegjësi në lidhje me zhvillimin e njerëzimit"

Elena Teslova   | 15.01.2020
Putin paralajmëron për një luftë të mundshme globale ( Sefa Karacan - Anadolu Agency )

Moskë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka deklaruar se konfliktet rajonale në Lindjen e Mesme mund të shndërrohen në një luftë globale, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke u adresuar në Asamblenë Federale të Federatës Ruse në Moskë, Putin tha se është e nevojshme "një bisedë serioze" për sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar. Ai theksoi se veçanërisht 5 shtetet bërthamore kanë një "përgjegjësi në lidhje me zhvillimin e njerëzimit".

"Konfliktet rajonale mund të shndërrohen shpejt në kërcënime për sigurinë ndërkombëtare. Ekziston një nevojë serioze për një bisedë në lidhje me stabilitetin dhe sigurinë e rendit botëror. Të pesë kombet duhet të eliminojnë arsyet që mund të shkaktojnë një luftë", deklaroi Putin.

Presidenti rus theksoi se për momentin Rusia ndihet e sigurtë, duke patur armët e fundit që "asnjë vend tjetër nuk i posedon", por shtoi se ky vend duhet të zhvillohet edhe më tej.

Sipas tij, Rusia është e hapur për bashkëpunim me të gjithë partnerët e interesuar dhe se vendi i tij nuk kërcënon askënd. Por, shtoi ai, Rusia do të vazhdojë të ndërtojë sigurinë kombëtare të saj.

Putin po ashtu propozoi një kusht që kandidati për president të ketë jetuar në vend për të paktën 25 vjet. Më tej, ai theksoi edhe domosdoshmërinë e ndalimit të marrjes së shtetësisë së huaj ose lejeve të qëndrimit për zyrtarët e lartë.

Ai njoftoi se ndryshimet në këtë drejtim do të paraqiten në një votim të përgjithshëm në të ardhmen e afërt.

Duke folur për nivelin e lindjeve në Rusi, Putin shprehu shqetësimin e tij për uljen e shkallës së popullsisë dhe sugjeroi disa masa që synojnë të nxisin nivelin e lindjeve në vend.

Fjalimi vjetor i presidentit në Asamblenë Federale të Federatës Ruse është një ngjarje vjetore në të cilën presidenti rus njofton vizionin e tij të drejtimeve strategjike për zhvillimin e vendit në të ardhmen e afërt.

Fjalimi përfshin dispozitat me karakter politik, ekonomik dhe ideologjik si dhe propozime specifike që lidhet me punën legjislative të Parlamentit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın