Putin akuzon Evropën për bllokim të përpjekjeve për paqe në Ukrainë, thotë se Rusia është e “gatshme” nëse sulmohet
"Ne nuk do të luftojmë Evropën. E kam thënë këtë 100 herë. Por nëse Evropa papritmas dëshiron të na luftojë dhe fillon, ne jemi gati tani. Nuk mund të ketë dyshim për këtë", theksoi Putin
Stamboll/Moskë
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Moska është e "gatshme" të përgjigjet menjëherë nëse Evropa do të nisë armiqësi, si dhe ka akuzuar vendet evropiane për pengimin e përpjekjeve të udhëhequra nga SHBA-ja për të arritur një zgjidhje në Ukrainë dhe për paraqitjen e propozimeve që ai i quajti "të papranueshme" për Rusinë, transmeton Anadolu.
"Ne nuk do të luftojmë Evropën. E kam thënë këtë 100 herë. Por nëse Evropa papritmas dëshiron të na luftojë dhe fillon, ne jemi gati tani. Nuk mund të ketë dyshim për këtë", theksoi Putin.
Siç citohet nga agjencia e lajmeve Tass, Putin pretendoi se qeveritë evropiane e kanë "përjashtuar veten" nga negociatat e Ukrainës dhe tani po përpiqen të minojnë diplomacinë e vazhdueshme të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, me Kievin dhe Moskën.
“(Vendet evropiane) janë larguar nga ky proces, fillimisht. Së dyti, duke parë se nuk u pëlqejnë rezultatet e sotme, ato kanë filluar të pengojnë si administratën aktuale amerikane ashtu edhe presidentin Trump nga arritja e paqes përmes negociatave”, tha Putin.
Putin këmbënguli se përpjekjet evropiane për të ndryshuar idetë amerikane për paqe synojnë të prishin procesin më të gjerë.
“Të gjitha këto ndryshime synojnë vetëm një gjë, të bllokojnë të gjithë procesin e paqes, të paraqesin kërkesa që janë absolutisht të papranueshme për Rusinë dhe ata e kuptojnë këtë”, theksoi Putin, duke shtuar se Evropa po përpiqet t’ia hedhë fajin për çdo kolaps Moskës.
Ai shtoi se qeveritë evropiane janë të mërzitura që janë lënë jashtë diplomacisë, por theksoi se “askush nuk i përjashtoi ato, ata e përjashtuan veten”.
Putin tha gjithashtu se Rusia do t’u lejonte evropianëve të ri-bashkohen në bisedime nëse ata “marrin parasysh realitetet në terren”.
Lidhur me sigurinë detare, Putin akuzoi Ukrainën për “pirateri” pas sulmeve të raportuara me dronë ndaj anijeve cisternë në Detin e Zi.
“Sulmet ndaj cisternave, as në ujëra neutrale, por në zonën e posaçme ekonomike të një shteti tjetër, një shteti të tretë, janë pirateri”, tha ai, duke shtuar se Rusia do të zgjerojë sulmet ndaj porteve dhe anijeve ukrainase që hyjnë në to në përgjigje të sulmit të supozuar ndaj cisternës.
Agjencia e Transportit Lumor dhe Detar të Rusisë më herët gjatë ditës pretendoi se cisterna MIDVOLGA-2 u godit nga një mjet ajror pa pilot rreth orës 8 të mëngjesit me kohën lokale teksa lundronte në Detin e Zi.
Një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës tha se Kievi “nuk ka të bëjë fare” me një sulm të raportuar me dron ndaj një cisterne ruse në Detin e Zi, duke hedhur poshtë akuzat e Moskës dhe duke vënë në pikëpyetje logjikën e rrugës së supozuar të anijes.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
