Probleme me mungesat: 35 tonë qumësht pluhur për fëmijë mbërriti nga Evropa në SHBA
Në dërgesën e parë, e cila u transportua me një aeroplan mallrash ushtarak nga Gjermania, mbërritën rreth 35 tonë formula qumështi për foshnja, e cila mjafton për rreth 500 mijë shishe

New York
Një aeroplan mallrash ushtarak amerikan ka dorëzuar të dielën sasitë e para të formulës së qumështit të dërguara nga Evropa në tregun e SHBA-së, i cili po përballet me mungesën e këtij produkti, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në dërgesën e parë, e cila u transportua me një aeroplan mallrash ushtarak nga Gjermania, mbërritën rreth 35 tonë formula qumështi për foshnja, e cila mjafton për rreth 500 mijë shishe.
Avioni ushtarak që mbante formula për fëmijë mbërriti në Indianapolis të dielën dhe është i pari nga disa dërgesa që priten nga Evropa me qëllim zbutjen e mungesës që shkaktoi panik të madh tek prindërit që ushqejnë foshnjat e tyre në këtë mënyrë.
"Ky është një hap i rëndësishëm, por jo i vetmi që do të ndërmerret. Ne do të vazhdojmë të punojmë, pasi presidenti na ka urdhëruar të përdorim çdo mundësi për të rritur sasitë", tha Tom Vilsack, sekretari i bujqësisë.
Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se dërgesa e radhës tashmë është rënë dakord dhe se qeveria po punon për zgjidhjen e problemit me mungesën.
Shtetet e Bashkuara janë përballur me një mungesë të formulës së qumështit për fëmijë në nivel kombëtar prej ditësh. Kjo është arsyeja pse Komiteti për Mbikëqyrjen e Qeverisë së Dhomës së Përfaqësuesve njoftoi se planifikon të hetojë punën e katër prodhuesve më të mëdhenj të formulave.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, më pak se gjysma e foshnjave të lindura në SHBA ushqehen ekskluzivisht me qumësht gjiri gjatë tre muajve të parë.