Bota

"Princi i kurorës saudite qëndron pas hakimit të telefonit të shefit të Amazon-it"

Callamard tha se ekipi i saj kaloi përmes një raporti me ekspertët e tyre dhe arriti në përfundim se Mohammad bin Salman qëndron pas hakimit të telefonit të shefit ekzekutiv të kompanisë Amazon, Jeff Bezos

Beyza Binnur Dönmez   | 24.01.2020
"Princi i kurorës saudite qëndron pas hakimit të telefonit të shefit të Amazon-it"

Ankara

Raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuara (OKB) për ekzekutimet jashtëgjyqësore dhe arbitrare, Agnes Callamard ka deklaruar se princi i kurorës së Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman, është “burimi më i mundshëm” i hakimit të telefonit të shefit ekzekutiv të kompanisë Amazon, Jeff Bezos, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Kompania (FTI Consulting) përgjegjëse për hetimet ligjore ka qenë jashtëzakonisht tërësore dhe e fuqishme, sepse ata e kanë bërë këtë hetim në kuadër të një hetimi të FBI-së”, tha Callamard mbrëmë për TRT World.

Ajo theksoi se ekipi i saj kaloi përmes një raporti me ekspertët e tyre dhe arriti në përfundim se Mohammad bin Salman qëndron pas hakimit.

“Ne e morëm raportin disa muaj më parë dhe gjatë javëve të fundit ne kemi konsultuar ekspertët tanë të pavarur, të cilët kanë shqyrtuar zbulimet dhe punën e këtij hetimi fillestar ligjor. Pas një sërë shkëmbimesh midis ekspertëve, ata kanë konkluduar se burimi më i mundshëm i hakimit të telefonit të z. Bezos ishte me të vërtetë një mesazh në ‘WhatsApp’ me origjinë nga një llogari në pronësi të princit të kurorës saudite”, deklaroi Callamard.

Duke theksuar se provat e siguruar ishin shumë teknike, ajo tha se “Menjëherë pas marrjes së skedarit në formë videoje, telefoni u soll në mënyrë shumë të ndryshme nga ajo që kishte bërë para se të merrte atë mesazh... të dhënat që transmetoheshin nga telefoni u rritën me mijëra përqind”.

Media të shumta, përfshirë "The Guardian", "Financial Times" dhe "Daily Beast", të martën raportuan se Bin Salman është pas hakimit të telefonit të Bezos në maj të vitit 2018 kur ai dërgoi një video përmes aplikacionit WhatsApp të ngarkuar me viruse spyware, në një përpjekje për të nxjerrë skedarë nga telefoni i Bezos.

Bezos po ashtu është pronar i të përditshmes "The Washington Post", ku gazetari Jamal Khashoggi dikur shkruante kolumna që kritikonin politikat shtypëse të princit të kurorës saudite, para se të vritej nga agjentët sauditë në Stamboll.

Të mërkurën, raportuesja e OKB-së tha se zbulimet e tyre fillestare treguan se Bin Salman ishte i përfshirë në përpjekjet për hakimin e Bezos, në përpjekje për të fshirë raportet mbi Arabinë Saudite të "The Washington Post".

Disa orë pasi shpërtheu skandali me hakimin e telefonit të Bezos, ambasada saudite në SHBA i quajti akuzat “absurde”.

“Ne bëjmë thirrje për një hetim mbi këto pretendime, në mënyrë që t’i kemi të gjitha faktet”, shkroi në Twitter ambasada saudite.

Zyrtarët sauditë u paraqitën në të njëjtën formë pas vrasjes së Khashoggit, gjegjësisht me një mohim të menjëhershëm me thirrje për hetim.

Rijadi pranon se agjentët e saj vranë Khashoggin, por fajëson një operacion të keqmenaxhuar që u ekzekutua pa pëlqimin e princit të kurorës, shpjegim i cili është tallur nga kritikët të cilët dyshojnë se kjo vrasje mund të bëhet pa pëlqimin e Bin Salman-it, sundimtarit 'de facto' të Mbretërisë Saudite.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın