Bota

Presidentja e KE-së i premton mbështetje Ukrainës gjatë procesit të anëtarësimit

"Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën pa marrë parasysh sa kohë duhet. Ne nuk do të pushojmë derisa ju të fitoni", tha presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen

Selen Temizer   | 01.07.2022
Presidentja e KE-së i premton mbështetje Ukrainës gjatë procesit të anëtarësimit

Bruksel

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen deklaroi se Ukraina ka një rrugë të gjatë deri tek anëtarësimi i saj në Bashkimin Evropian, por se ata do të vazhdojnë ta mbështesin vendin aq sa të jetë e nevojshme, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas dhënies së statusit të vendit kandidat, Von der Leyen iu drejtua Parlamentit të Ukrainës përmes video-konferencës.

"Rusia vazhdon të vrasë ukrainasit, të bombardojë qytetet dhe të vjedhë grurin e tyre. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën pa marrë parasysh sa kohë duhet. Ne nuk do të pushojmë derisa ju të fitoni", tha Von der Leyen.

Ajo vlerësoi funksionimin e vazhdueshëm të shtetit dhe institucioneve demokratike edhe gjatë luftës. "Kërkesa juaj për anëtarësim në BE erdhi disa ditë pas pushtimit rus. Ju na dhatë informacionin e nevojshëm në kohë rekord", tha presidentja e KE-së.

"Sot është kryesisht një ditë për të festuar këtë kthesë historike, fitoren e vendosmërisë", tha Von der Leyen duke shtuar se "Rindërtimi i Ukrainës dhe procesi i anëtarësimit në BE do të ecin së bashku".

"Unë jam këtu sot me një mesazh shumë të thjeshtë. Ju keni një rrugë të gjatë përpara, por BE-ja do të jetë pranë jush në çdo hap të rrugës, nga këto ditë të errëta lufte deri në momentin që do të bëheni anëtar. Unë besoj në të ardhmen evropiane të Ukrainës. Arsyeja e vetme për këtë është vendosmëria e ukrainasve", potencoi Von der Leyen.

Këshilli Evropian i dha Ukrainës statusin e vendit kandidat në samitin e liderëve më 23-24 qershor.

- "Mund të fillojmë të eksportojmë energji elektrike në BE"

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se vendi i tij ka marrë statusin e vendit kandidat në një kohë rekord prej 115 ditësh dhe se zbatimi i vendimeve që do të merren për harmonizimin me BE-në është brenda përgjegjësive të tyre për t'u ofruar jetë më të mirë brezave të ardhshëm.

Pasi rikujtoi se Ukraina është e përfshirë në rrjetin elektrik të BE-së, Zelenskyy tha se "Tashmë mund të fillojmë të eksportojmë energji elektrike në BE".

​​​​​​​Ai vuri në dukje se ka kërkesa nga BE-ja për "regjim pa viza doganore", liberalizimin e transportit rrugor, anulimin e tarifave të roamingut duke krijuar zonë të përbashkët roamingu të telefonisë celulare me BE-në, bashkimin me tregun dixhital të BE-së dhe "regjimin industrial pa viza".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın